Biznes

Vodafone do hetohet për thirrjet ndërkombëtare

Nga Gazeta "SI" - Autoriteti i Konkurrencës në Shqipëri ka nisur hetim të thelluar për kompaninë celulare " Vodafone"lidhur me tregun me shumicë të ekzekutimit të thirrjeve ndërkombëtare.
Komisioni i Konkurrencës, hapi procedurën e hetimit paraprak sepse dyshon se kompania ka abuzuar me pozitën e saj dominuese në tregun e shërbimeve celulare mbi thirrjet ndërkombëtare, pasi pranë Autoritetit u depozitua një ankesë.

Sipas AK-së, Vodafone ka pozitë dominuese në masën 100% në tregun e ekzekutimit të thirrjeve ndërkombëtare, nuk rregullohet nga AKEP, duke përfshirë dhe tarifat për to.
Autoriteti dyshon se kjo ndërmarrje mund të ketë zbatuar kushte të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me palët, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence.

"Kjo sjellje e cila, në rast se vërtetohet, mund të përbëjë abuzim me pozitën dominuese në kuptim të nenit 9, pika 2, shkronja (c) e ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 'Për mbrojtjen e konkurrencës', vlerësohet të ketë nevojë për verifikime më të thelluara nga ana e Autoriteti të Konkurrencës."
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës vendosi hapjen e procedurës së hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjes Vodafone Albania SHA.

Më herët gjatë vitit të shkuar, AK hapi një tjetër hetim të thelluar për Vodafone SHA, lidhur me pozitën dominuese dhe dëmtim të konkurrencës në tregun e telekomunikacionit. Hetimi u mbyll pa asnjë penalitet për kompaninë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë