Lajme

Vlorë, kapet 45-vjeçari i shpallur në kërkim

Policia e Vlorës ka vënë në pranga një 45-vjeçar të shpallur në kërkim për trafik droge. Burime nga policia e Vlorës kanë bërë me dije se aksioni në fjalë u bë në zbatim të Planit të masave për kapjen e personave që qarkullojnë me armë, personave që tentojnë të trafikojnë lëndë narkotike si dhe për kapjen e personave në kërkim, në kuadër të operacionit në territor “Ndëshkimi i “të fortëve”. I arrestuari është shtetasi Gazmir Mehmetaj, lindur në Treblovë dhe banues në Vlorë, i cili u kap në lagjen “Pavarësia”.

Sipas policisë, ai akuzohet për një ngjarje të vitit 2013 ku është konstatuar një sasi kanabisi në Lagunën e Vilunit, ndërsa urdhërarresti është lëshuar në 2017. Emri i Gazmir Mehmetajt lidhet edhe me një sasi prej 840 kg drogë, e gjetur nga policia e Vlorës e braktisur në gadishullin e Karaburunit në vitin 2017, që kishte destinacion Italinë. Në qershor të 2017 u arrestuan Andrea Çaushi, Andi Mita, Kasëm Piluri dhe Altin Rramolli. Nga ana tjetër Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimet ndaj 15 personave të tjerë, që dyshohet se ishin të implikuar në këtë trafik droge, mes tyre edhe Gazmir Mehmetaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë