Futboll

Vllaznia rikthehet te fitorja, fundoset Flamurtari

Rikthehet Kategoria Superiore, rikthehet edhe Vllaznia te fitorja. Kuqeblutë kanë dalë fitimtarë ndaj Flamurtarit në duelin që vinte përballë dy trajnerët Mirsad Jonuz dhe Marcello Troisi (zyrtarisht jo në stol). Sfida nisi me shkodranët protagonistë, që u hodhën menjëherë në kërkim të golit të avantazhit. Duhej të vinte minuta e 38-të, ku Malota bën gjithçka bukur dhe në fund pengohet nga Muçollari dhe gjyqtari akordon penallti. Topin nga pika e bardhë e godet kapiteni Lika dhe 1-0 për Vllazninë. Pavarësisht përpjekjeve të Flamurtarit pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat.

Pjesa e dytë ishte fotokopje e të parës, me vendasit që mundohen të menaxhojnë rezultatin. Në krahun tjetër vlonjatët provojnë të nisin disa sulme, por pa rrezikuar portën mbrojtur nga Sherri. Në minutën e 82-të ishte brazilian Hygor, i cili me një roveshatë,  shtang Moçkën. Golin ia dedikon nënës së ndjerë. Vllaznia pati një mundësi të artë për të 3-fishuar shifrat me Gilman Likën, por ndërhyn portieri Moçka.

Me këtë fitore Vllaznia renditet në vendin e gjashtë me 26 pikë, ndërsa vlonjatët nuk po dalin ende nga kriza e thellë në të cilën ndodhen prej kohësh. Asnjë fitore në 18 javët e para, dhe gjashtë barazime po i çojnë bregdetarët drejt rënies në Kategorinë e Parë.

Vllaznia-Flamurtari 2-0

21 janar 2020, ora 14:00

Shënues: Lika 38’, Hygor 82’

Vllaznia: Sherri, Gligorov, Shehi, Malota, Marku, Gurishta, Ramadani (Adili 65′), Bardulla (Hygor 59’), Lika, Shtubina, Hristov (Zogaj 70’). Trajner: Mirsad Jonuz.

Flamurtari: Moçka, Gocaj, Pjeshka, Muçollari (Balilaj 89’), Haruni (Elmazaj’),  Rrapaj (Llapi 69’), Vrapi, Nebihu, Kreshpa , Hoxhaj, Ribaj. Trajner: Dritan Resuli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë