Futboll

Vllaznia lëshon pjesët e çmuara të saj, sezonin e ri me profil të ulët

Gazeta Si – Në merkaton e deritanishme të futbollit shqiptar nuk ka ende goditje të mëdha. Të paktën zyrtare. Bie në sy largimi i disa futbollistëve të rëndësishëm nga skuadrat pretendente, dikush që kalon në një kampionat të huaj dhe dikush ende pa një destinacion.

Vala e largimeve ka prekur më së shumti Vllazninë, që me lëvizjet e deritanishme duket se po përgatitet për një sezon me një profil më të ulët se zakonisht. Me siguri nuk do të flitet më për titull kampion në Superiore, kjo u kuptua qartë që nga zgjedhja e trajnerit Migen Memelli. Ai ka drejtuar më parë skuadra si Laçi dhe Skënderbeu, asnjëherë një skuadër pretendente.

Kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, i larguar tashme nga skuadra. Gazeta Si, 14 qershor 2023

Ideja përforcohet edhe nga largimi i disa prej lojtarëve më të mirë të Vllaznisë. Lamtumira pas 9 vitesh e kapitenit Erdenis Gurishta është një tregues i qartë se shkodranët mund të kenë bërë një hap prapa sa u takon objektivave. Liridon Latifi po ashtu, një lojtar me kualitet, ka shkëputur marrëdhëniet me këtë skuadër.

Ka edhe të tjerë që kanë ikur zyrtarisht nga Vllaznia, ndërsa afrimet mbeten për t’u zbuluar. Skuadra veriore ka dhënë mesazhin se sezonin e ri nuk do të konkurojë me klube si Tirana e Partizani, apo ndonjë tjetër, do të jetë një Vllazni me një profil ndryshe nga sa e duan tifozët e saj dhe tani duhet parë se sa do të pajtohen ata me strategjinë e re të klubit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë