Futboll

Vllaznia dhe Bylisi udhëheqin Superioren, Kukësi në pikiatë

Një kampionat paksa i çuditshëm ky i Superiores, ku pas javës së 7-të renditjen e udhëheqin ironikisht dy skuadrat e ardhura nga Kategoria e Parë, Bylisi dhe Vllaznia. Për shkodranët me shumë traditë nuk ka ndonjë çudi të qëndrojnë në vendet e para, por duke pasur parasysh situatën që kanë kaluar, është befasi. Ballshiotët vazhdojnë të surprizojnë javë pas jave, duke mos njohur humbje.

Vllaznia ka mundur Kukësin në “Elbasan Arena”, në një ndeshje transferte, falë golave të Hygor dhe kapitenin Gilman Lika. Për kuksianët barazoi përkohësisht sulmuesi Vasil Shkurtaj. Skuadra e trajnerit Shpëtim Duro kishte shansin e artë të merrte kryesimin, pas barazimit të Tiranës me Flamurtarit dhe barazimit të Partizanit me Teutën, por ka pësuar humbjen e dytë radhazi, duke e komplikuar situatën dhe tashmë presidentit Safet Gjici vështirë se mund të zbutet. Gjobat janë gati, por edhe trajneri Duro rrezikon. Nga ana tjetër, për Vllazninë është një fitore e madhe. Me 12 pikë në 7 javë, shkodranët u janë përgjigjur pritshmërive dhe për më tepër skuadra premton të bëjë më shumë në vazhdim të kampionatit.

Bylisi ka rezistuar edhe në fushën e vështirë të Laçit, ku mori një pikë pas barazimit pa gola. Ekipi i drejtuar nga serbi Dovedan qëndron para Vllaznisë në krye të renditjes, falë golaverazhit më të mirë. Dy skuadrat e ngjitura nga një kategori më poshtë po tregojnë vlera, ndërsa skuadrat të ashtuquajtura “të mëdha” po hasin jo pak vështirësi.

Renditja e Superiores pas javës së 7-të. Gazeta Si, 6 tetor 2019

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë