Futboll

Vllaznia dështon në Belfast, e vetmja skuadër shqiptare që humb në Ligën e Konferencës

Gazeta Si – Një dështim pak a shumë i paralajmëruar për Vllazninë, që këtë verë ka ndryshuar strategji, duke zgjedhur një profil më të ulët. Ndryshimi u reflektua menjëherë nga kjo skuadër në sfidën e parë sezonale, ku shkodranët humbën 3-1 ndaj irlandezo-veriorëve të Linfild.

Vllaznia është e vetmja nga 4 skuadrat e Superiores që ka humbur në Europë, por edhe në total nga skuadrat shqiptare që marrin pjesë në kompeticionet e saj, duke llogaritur dhe ato kosovare e maqedonase.

Pjesë e parë e ndeshjes së luajtur në Belfast u mbyll në barazim 0-0, ndërsa me fillimin e pjesës së dytë vendësit shënuan dhe më pas thelluan avantazhin edhe me dy gola të tjerë. Një gol i shënuar nga Juriç në fundin e ndeshjes lë një fije shprese për një përmbysje të mundshme të Vllaznisë në ndeshjen e kthimit, por gjasat janë të pakta.

Kjo humbje është edhe një kambanë alarmi për klubin shkodran që të ndërhyjë në merkato sa është në kohë, për të mos pasur probleme pastaj në kampionat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë