Financa Personale

VKM-ja për pensionet / Mund të indeksohen më shume se një herë në vit nëse ka luhatje të mëdha çmimesh

Nga Gazeta ‘SI’ - Indeksimi i pensioneve në Shqipëri do të mund të ndryshohet sa disa herë brenda një viti, sipas luhatjeve në çmimet e konsumit dhe jo më vetëm njëherë në vit.

Në vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave theksohet se “Në raste të jashtëzakonshme kur ndryshimet në çmimet e konsumit (shporta e konsumit) janë të ndjeshëm (luhatje mujore të mëdha), Këshilli i Ministrave mund të vendosë për indeksimin e përfitimeve nga sigurimet shoqërore më shumë se një herë në vit.”

Në vendim thuhet se Instat që mat indeksin e çmimeve të konsumit, (inflacionin), në bazë të të cilit bëhet edhe indeksimi i pensioneve, do ta raportojë ndryshimin tek ISSH, çdo datë 10 të muajit pasardhës. Më herët, kjo veprimtari duhet të ndodhte deri në 10 shkurt të çdo viti.

Përllogaritjet e skemës së sigurimeve shoqërorë do të bëhen përgjegjësi vetëm e ministrisë së Financave, Instat dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Sipas VKM-së, është hequr ngarkesa për ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në këtë skemë.

Llojet e pensioneve që indeksohen janë ato të pleqërisë, të invalëve, disa llojesh profesionesh dhe trajtime të veçanta, që përcaktohen në ligj.

Ndryshimet e reja do të fuqizohen sapo ai të botohet në Fletoren Zyrtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë