Motosport

Vjena jep aprovimin. Botërori i F1 nis në Austri më 5 Korrik

Tani vjen edhe konfirmimi zyrtar: në 5 korrik në Austri do të nisë Botërori 2020 i Formula 1. Qeveria e Vjenës ka dhënë aprovimin, pas kërkesës së organizatorëve, që “kanë prezantuar një plan të plotë sigurie dhe parandalimi kundër epidemisë Koronavirus”, ka shpjeguar Ministri i Shëndetit austriak. Austria është një nga vendet ku masat parandaluese kanë rezultuar më efikase për përballimin e pandemisë. Nga 15 qershori do të hapen kufijtë me Gjermaninë, Lihtenshtajnin dhe Zvicrën, por jo me Italinë.

Do të zhvillohen dy Çmime të Mëdha, me dyer të mbyllura, në 5 e 12 korrik në Red Bull Ring, në Spielberg, në Stiria. Do të jetë nisja e sezonit që duhej të ndodhte në Australia të dielën e 15 marsit. Gara u anulua pak orë nga starti i provave të lira për shkak të pozitivitetit të një pjesëtari të McLaren. Qeveria austriake kishte paralajmëruar që planet për të filluar sezonin në Red Bull Ring – objektiv që ishte konsideruar më i mundshmi nga Formula 1 – do të vlerësoheshin vetëm nëse organizatorët do të ishin në gjendje të siguronin të gjitha garancitë e sigurisë shëndetësore. “Përveç masave të rrepta të higjienës, koncepti gjithashtu parashikon kontrolle dhe teste të rregullta shëndetësore për ekipet dhe të gjithë punonjësit e tjerë – nënvizon Ministria – Elementi thelbësor do të jetë koordinimi i ngushtë midis organizatorëve dhe autoriteteve shëndetësore rajonale dhe lokale”. Qeveria, në veçanti, dëshironte që ngjarja të organizohej në një cirkuit të mbyllur, pa kontakte me pjesën e jashtme, me përjashtim të austriakëve të përfshirë në menaxhimin e garës.

Mediat lokale flasin për fluturime speciale për transportin e skuderive në cirkuit. Sidoqoftë, vetëm ata që kanë certifikatën shëndetësore me testet për Covid-19 të kryera do të hyjnë në vend për Formulën 1. Austria, që ka raportuar më pak se 700 vdekje nga Covid-19, ka lehtësuar në mënyrë progresive kufizimet në vend që nga mesi i prillit për të luftuar epideminë dhe nuk ka treguar një gjallërim të infektimeve. Nëse gjithçka kalon mirë në Spielberg, sezoni mund të vazhdojë më 19 korrik në Budapest (Hungari). Dy gara janë planifikuar në Silverstone për fillimin e gushtit, por këto do të varen nga fakti se F1 arrin të marrë një përjashtim nga kufizimet e parashikuara aktualisht për karantinën në Britaninë e Madhe. GP-të në Spa (Belgjikë) dhe Monza janë konfirmuar për 30 gusht dhe 6 shtator.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë