Muzike

Vjen kënga e gjelbër – Artistët thërrasin: Lum lumi i lirë!

Foto: Kleidi Eski

“S’duam tuba, s’duam diga, s’duam pengesa edhe prita, duam çdo njeri i mirë të thërrasë: Lum Lumi i Lirë!”, kjo është thirrja e një grupi artistësh që u bënë bashkë, pas dy vitesh koncerte-protestë në mbrojtje të lumenjve shqiptarë, kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Valbonë dhe Vjosë, kanë ardhur, siç edhe kishin lajmëruar ditë më parë me një himn kushtuar lumenjve.Kjo këngë, e titulluar “Lum Lumi i Lirë” –një nismë e dyshes Elina Duni dhe Eda Zari –lindi si nevojë për përhapjen e informacionit mbi padrejtësitë sistematike që po u bëhen lumenjve, natyrës, si dhe për të mbështetur zërin protestues të banorëve pranë zonave të këtyre lumenjve.Kjo këngë, siç kanë bërë të ditur dy këngëtaret e xhazit, përpiqet të kontribuojë pro kauzave në mbrojtje të lumit Valbonë dhe lumit të fundit të egër në Europë, Vjosës.

O Valbonë me Shtojzovalle,

që këndon tek zbret ndër male,

ujin duan të ta shterin,

shtratin duan të ta bjerrin.

Kështu nis kënga “Lum Lumi i Lirë”, që bëri bashkë për realizimin e saj muzikantë, producentë, muzikologë, historianë,  artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë si;  Elina Duni, Eda Zari, Linda Rukaj, Rhani Krija, Vlashent Sata, Emiljano Dhimo, Shpat Deda, Gert Kapo, Henning Jung, Kleidi Eski, Sokol Çunga e Mikaela Minga.  Më pas kënga i drejtohet edhe lumit të Vjosës, ku i njëjti grup artistësh është mbledhur dhe ka protestuar në formë koncertesh kundër ndërtimit të hidrocentraleve në atë që quhet i fundmit lumë i egër në Ballkan.

O moj Vjosë valë-valë,

zonjë e rëndë, ti zonjë e rrallë,

vrullin duan të ta presin,

trupin duan të ta shesin.

Artistët janë shprehur se me vetëdije morën nismën jo vetëm për të prodhuar muzikë, jo vetëm për t’i mëshuar thirrjes për shpëtimin e lumenjve, por “krijuam një këngë që ka një qëllim edhe më të epërm: Ku ka lumenj, ka gjithmonë arsye për të ndërtuar ura mbi të cilat ecim dhe përqafojmë hallet e njëri–tjetrit.”

Kjo është parë si një përpjekje për të bashkuar dhe solidarizuar aktivistët, shoqatat, si ato pro Valbonës dhe Vjosës, por edhe individë të shqetësuar për kauzën.“Nga ana tjetër, kënga dëshiron të shpërndajë mesazhin se nuk ka natyrë, lumë, ajër, tokë që të trajtohet si një i nënës e një i njerkës. Në mënyrë të pa partishme dhe vetëm duke bërë përpjekje të përqendruara, por të bashkuar, mund të mposhten vendimmarrësit e gabuar dhe planet e tyre fatkeqe.”, pohojnë në deklaratën e tyre artistët.

“A do të mundemi të ndërgjegjësohemi për një të vërtetë të madhe se, as në një të ardhme të afërt, por as të largët, kurrë, s’ka për të pasur një Shqipëri të dytë me këtë natyrë si kjo që kemi?! Prandaj ejani ta mbrojmë!”, bëjnë apel artistët, duke shtuar se fuqia e muzikës vjen më së pari për zgjimin e vetëdijes.

https://www.youtube.com/watch?time_continue=2&v=22BNc4mJ3ZI
Videoja e këngës "Lum Lumi i Lirë"

“Një këngë solidarizon, frymëzon, shpëton, fal shpresë. Shqetësimet dhe vullneti për të krijuar një këngë-protestë rrjedhin nga niveli i vetëdijesimit për atë të keqe të pakthyeshme që po ndodh në Valbonë, në Vjosë, apo ajo që po ndodh me ujin, ajrin, natyrën, tokën shqiptare, por edhe për natyrën e gjithë botës. Kjo këngë jep “ZA” për shërim, i piskat publikut, për t’i lënë secilit thellë një jehonë vetëdijeje.”, ka thënë Elina Duni, ndërsa Eda Zari, në profilin e saj të facebook-ut, u ka bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen nismës “Ejani o më të mirët e baltës sonë, këndojeni këngën!”

Lumi qante lumin, ti dhe unë nuk bzajmë

ç’qe ky fat hajdut që na zhvat nam e nishan.

Për këta artistë, muzika nuk është vetëm medium argëtues. “Kënga është një mjet i shkëlqyeshëm efektiv, përmes të cilit transmetohet informacioni mbi çështjet e natyrës dhe ç’po ndodh me të, mbi jetën apo problemet sociale. A mund ta ndryshojmë botën me një këngë? Jo, por një këngë ndryshon botëzën dhe perceptimin e secilit prej nesh”, thonë ata, duke i ftuar të gjithë të thërrasin me ta:

S’duam tuba, s’duam diga,

s’duam pengesa dhe prita.

Duam çdo njeri i mirë të thërrasë:

Lum Lumi i Lirë!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë