Kryebashkiaku Erion Veliaj zhvilloi një takim me drejtorët e shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve të Tiranës, për të diskutuar mbi përgatitjet e vitit të ri shkollor. Ai tha se nga data 17 shtator, me fillimin e vitit të ri shkollor, rikthehet edhe kufizimi i qarkullimit për mjetet që kryejnë furnizimin e dyqaneve në mëngjes. Kjo masë e Bashkisë së Tiranës ka për qëllim të ulë fluksin e trafikut në orët kur nxënësit e Tiranës shkojnë në shkollë, si dhe synon që fëmijët të mos humbin orën e parë të mësimit.
“Do të rifusim në veprim regjimin e ri të trafikut, me orare për të shmangur qarkullimin e kamionëve dhe furgonëve në kohën kur nxënësit shkojnë në shkollë; po ashtu, edhe institucionet të mos shkojnë të gjitha në orën 8:00 në punë. E kam thënë, nuk mund të vlejnë patatinat dhe çamçakizat, më shumë se fëmijët. Të shkojnë njëherë fëmijët në shkolla, pastaj furgonët mund të bëjnë dërgesat e tyre, para orës 7.00 ose pas orës 9.00, që të mos kemi kaos në trafik”, tha Veliaj.
Ai u ndal edhe te puna që ka bërë Bashkia e Tiranës për infrastrukturën shkollore, duke theksuar se këtë vit do të hapet shkolla “Kosova”, e cila u ndërtua nga e para.
“Fakti që javën tjetër hapim shkollën “Kosova” është një arritje e jashtëzakonshme. Një shkollë që tregon edhe simbolikën e qytetit, me të cilën na duhej të jepnim edhe një mesazh: Jo, nuk prishen shkollat në këtë vend! Siç e shikoni, edhe te shembulli i Teatrit, jo, ka mundësi edhe të zhvillohet qyteti, por edhe të bëhet një teatër në vend të vet; ka mundësi edhe të ketë banesa, por edhe shkolla “Kosova” të bëhet në vendin e vet”, u shpreh kryebashkiaku.
Kryebashkiaku informoi edhe drejtorët se situata e mbipopullimit të shkollave dhe mësimit me dy turne do të marrë zgjidhje përfundimtare me ndërtimin e 17 shkollave të reja që do të nisin që këtë vit. “Unë besoj se vitin tjetër, jo vetëm mbarojnë këto që janë në proces, por brenda muajit shtator do të fillojmë themelet e para të 17 shkollave të reja. Kam përshtypjen se keni dijeni ku do të jenë shkollat e reja, pasi u kemi dhënë një fokus të madh shkollave peri-urbane sepse ato dyndin zonën e Tiranës së vjetër. Me 17 shkollat e reja që presim të hedhim themelet, shtatori tjetër të na gjejë me një pjesë të kompletuar, minimalisht nuk do flasim më për klasat me dy turne”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.