Nga Liridon Mulaj – U shpall sot në ambientet e muzeut “ Shtëpia me Gjethe” Viti i Maks Velos. Një propozim ky i konkretizuar në marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Bibliotekës Kombëtare, Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Autoritetit të Dosjeve dhe Muzeut Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” të cilët u zotuan të sjellin në kujtesën kolektive, figurën e një personaliteti kompleks siç ishte Maks Velo. Shpallja e këtij viti si Viti i Maks Velos është në vazhdën e një tradite tashmë prej vitesh, e cila sjell në vëmendje figura të rëndësishmë të letërsisë shqipe nëpërmjet aktiviteve dhe ekspozitave përgjatë një viti kalendarik.
Viti i Maks Velos u shpall, po pastaj…?
Drejtoresha e QKLL-së Alda Bardhyli dhe drejtori i BKSH-së Pirro Misha gjatë prezantimit u fokusuan kryesisht në figurën poliedrike të Maks Velos si një kontribues i rëndësishëm në jetën publike shqiptare e gjithashtu si simbol i rezistencës i cili me artin e tij theu barrierat e kohës. Ndërkohë në të njëjtën linjë mbetën edhe drejtoresha e “Autoritetit të Dosjeve” Gentiana Sula dhe Drejtoresha e muzeut “Shtëpia me Gjethe” Etleva Demollari të cilat cekën rëndësinë e kësaj simbolike që sjell në vëmendje Maks Velon përgjatë një viti kalendarik me aktivitete përkujtimore.

Prej disa vitesh tashmë është kthyer në traditë caktimi i një viti dedikuar një figure të rëndësishme të letërsisë shqipe. Kryesisht këto nisma janë ndërmarrë nga drejtoresha e QKLL Alda Bardhyli me idenë e sjelljes në vëmendje të emrave të mëdhenj të letërsisë shqipe. Kjo traditë u çel më shpalljen e Vitit të Kadaresë. Më pas pasoi me Vitin e Gjergj Fishtës ku sërish pati nja dy tryeza diskutimi, ndonjë aktivitet aty këtu dhe aq. Viti i shkuar i përkiste Petro Markos. Dhe u pa se përgjatë gjithë këtyre viteve dedikuar emrave të mëdhenj të letërsisë shqipe, pati një mungesë pjesëmarrjeje masive apo ndonjë interesi të veçantë nga institucionet arsimore, kryesisht shkollat. Të gjitha këto paqartësi dhe deri diku mangësi të organizimive të mëparshme, u bënë dhe temë e diskutimit.

Pyetjes së Gazetës “Si” se a do të ketë ndonjë bashkërendim të kalendarit me Ministrinë e Arsimit në mënyrë që të rinjtë të njihen me personazhe frymëzuese si Maks Velo, Petro Marko apo dhe të tjerë, drejtori i BKSH-së, Pirro Misha iu përgjigj me rezerva duke theksuar se institucioni që ai drejton vetëm sa i adreson çështjet dhe propozimet në Ministrinë e Kulturës.
“Ne kemi propozuar në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit që shtëpia e Maks Velos të kthehet në muze. Por ne kaq kemi në dorë, propozimin e ideve dhe më pas janë ata që vendosin. Ndërkohë përsa i përket bashkërendimit të punës me Ministrinë e Arsimit, është një çështje e cila nuk na takon ne. Të rinjtë vijnë dhe vizitojnë ekspozitat e librave të rrallë në Bibliotekën Kombëtare dhe kanë shumë interes. Madje shpesh në praninë tonë pyesin dhe mësuesit e tyre se pse ata nuk i mësojnë në shkollë këto fakte,” tha Misha.

Ndërkohë drejtoresha e Autoritetit të Dosjeve Gentiana Sula tha se institucioni që ajo drejton po përpiqet të formulojë projekt-propozime për përfshirjen në kurrikulat arsimore të figurave të dënuara nga komunizmi, kryesisht figura me kontribute si Maks Velo.
“Ne si institucion kemi propozuar listën tonë të librave të cilat duhet të jenë pjesë e çdo biblioteke shkolle sepse figurat e rezistencës ndaj komunizmit nuk studiohen në shkolla dhe nuk janë pjesë e kurrikulave shkollore. Madje kemi folur dhe me mësuesit në mënyrë që ata të orientojnë nxënësit drejt këtyre figurave”
Maks Velo, i fundit dëshmitar…
Maks Velo i përket asaj sëre artistësh të cilët lindën dhe u kultivuan me një frymë perëndimore e cila ishte diametralisht e kundërt me realitetin komunist në të cilën u gjend më vonë. I lindur në Paris dhe i rritur në Korçë në një familje aristokrate Velos iu ngjiz që në vogëli pasioni dhe dëshira për artin, kryesisht pikturën. Pasi mbaroi fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë, ai u bë një nga arkitetektët kryesorë të Tiranës së viteve 60 duke qënë projektues i disa godinave kryesore të qytetit. Një ndër to dhe ndoshta më e famshmja është godina e pallatit me kuba e cila u ndërtua për shkrimtarët dhe artistët si banesë e tyre e përhershme. Ndoshta dhe kjo qasje avantgarde për kohën në projektim, e ekspozoi Velon në sytë e pushtetit duke u kthyer në shënjestër e sigurimit të shtetit si armik i partisë i cili sublimonte frymën revizioniste.

U arrestua në vitin 1978 dhe u dënua 10 vjet me akuzën “ Agjitacion dhe propagandë”. Vitet e burgut ai i kaloi në burgun më famëkeq të kohës, në Spaç. Nëpërmjet një amnistie ai u lirua në vitin 1986. Dhe vetëm pas rënies së sistemit Velo u bë një nga aktivistët e zellshëm të dokumentimit të një kohe të mbrapshtë, kryesisht të dokumentave dhe dosjeve të cilat lidheshin drejtpërdrejt më të . Shkroi vepra letrare në prozë në poezi dhe ese, të cilat thuajse të gjitha kishin një temë kryesore, rezistencën e njeriut dhe intelektualit ndaj sistemit diktatorial. Veprat e tij më të njohura janë “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, dhe “Jeta ime në figura “.
Maks Velo ndërroi jetë me 7 Maj 2017, i vetëm në studion e tij duke lënë pas pezmin e humbjes së një figure të rrallë dhe ndër të vetmit i cili i dëshmoi tmerret e veta dhe gjithashtu identifikoi dhe persekutorët e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.