Zyrtarët në shtetin e Ilinois në SHBA njoftuan se një person që kohët e fundit kishte përdorur një cigare elektronike dhe ishte shtruar në spital me sëmundje të rëndë të mushkërive kishte vdekur, pasi qëndroi disa kohë nën kujdesin e bluzave të bardha.
Vdekja duket të jetë e para në mesin e sëmundjeve të mushkërive që lidhet me pirjen e duhanit nga cigaret elektronike. Të paktën 22 persona të tjera kanë përjetuar sëmundje të frymëmarrjes pas përdorimit të cigareve elektronike. Individët e prekur kishin kollë dhe lodhje, thanë zyrtarët. Ata po punojnë me departamentet lokale të shëndetit për të hetuar rastet e 12 individë të tjerë me simptoma të ngjashme si viktima. Të prekurit kanë përjetuar gjithashtu të vjella dhe diarre. Zyrtarët e Ilinois thanë se personi që ndërroi jetë ishte i rritur, por nuk dhanë detaje të mëtejshme rreth tij, pajisjes apo produktit që ai kishte përdorur.
Janë të paktën 193 raste në 22 shtete që janë paraqitur me probleme në mushkëri për shkak të përdorimit të cigareve elektronike, sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Këto raste përfshijnë të rinj në adoleshencë dhe të rritur deri në pleqëri. Ndërsa disa nga rastet duken të ngjashme, zyrtarët thanë se ende nuk e dinë nëse sëmundjet shkaktohen nga vetë pajisjet e cigareve elektronike, apo nga përbërësit specifikë të thithur përmes tyre.
Në shumë raste të raportuara në të gjithë vendin, përfshirë në Ilinois, pacientët kanë pranuar se kanë përdorur produkte që përmbajnë THC, përbërësi kryesor i të cilit është marihuana. Asnjë produkt specifik nuk është identifikuar në të gjitha rastet dhe as ndonjë produkt nuk është lidhur përfundimisht me sëmundjet. Edhe pse rastet duken të ngjashme, nuk është e qartë nëse të gjitha ato kanë një shkak të përbashkët ose nëse janë sëmundje të ndryshme me simptoma të ngjashme.
Zyrtarët thanë të premten se ata nuk e dinë pse një seri sëmundjesh po shfaqen tani pasi format e ndryshme të cigareve elektronike të mbushura me bateri kanë ekzistuar për më shumë se një dekadë. Brian King, zv.drejtor në zyrën e kërkimeve për pirjen e duhanit dhe shëndetin, tha se rastet mund të kishin ndodhur më parë, nëse shkaku do të ishin këto pajisje.
“Substancat në cigaret elektronike mund të përmbajnë përbërës që janë potencialisht të dëmshëm për shëndetin e mushkërive” tha ai. “Ato përfshijnë grimca ultrafine dhe aromatizues, të tilla si diacetil, që kanë qenë të lidhura me sëmundjet e frymëmarrjes.”
Mitch Zeller, i cili drejton Qendrën për Produkte të Duhanit në Administratën e Ushqimit dhe Barnave, tha se agjencia po punon për të identifikuar produktet, ku janë blerë, si janë përdorur dhe nëse janë shtuar përbërës të tjerë.”Ky informacion duhet të jetë i veçantë për secilën nga këto raste për të parë nëse shfaqen në një model të ngjashëm”tha ai.
Zyrtarët shëndetësisë thonë se njerëzit që pësojnë çdo lloj dhimbje në gjoks ose kanë vështirësi në frymëmarrje pasi kanë një javë ose një muaj që përdorin cigaret elektronike duhet të kërkojnë kujdes të menjëhershëm mjekësor. Ofruesit e kujdesit shëndetësor për pacientë me sëmundje të papritur të frymëmarrjes duhet të pyesin në lidhje me një histori të përdorimit të cigareve elektronike, thanë zyrtarët. Gjithashtu kërkojnë nga qytetarët që përjetojnë këto lloje të simptomave që të denoncojnë në mënyrë elektronike përmes një portali.
Ky rast në Ilinois e ngre në një tjetër nivel debatin në lidhje me përdorimin e cigareve elektronike dhe dëmet që ato shkaktojnë në shëndet. Sipas një studimi cigaret elektronike me shije të ndryshme, përveç dëmeve në mushkëri, dëmtojnë rëndë enët e gjakut e zemrën.
Cigaret elektronike kanë fituar popullaritet gjatë dekadës së fundit, megjithëse ka pasur shumë pak kërkime mbi efektet e tyre afatgjata. Vitet e fundit, autoritetet shëndetësore kanë paralajmëruar një epidemi të përdorimit të cigareve elektronike tek adoleshentët. Miliona amerikanë përdorin cigare elektronike, me numrin e përdorueseve që është më i madh në mesin e të rriturve.
Në 2018, më shumë se 3.6 milionë studentë të shkollave të mesme dhe të mesme amerikane thanë se kishin përdorur të paktën një herë një cigare elektronike gjatë muajit të fundit, sipas CDC. Marka kryesore e cigareve elektronike, Juul, tha se po monitoron raportet e sëmundjeve dhe ka ngritur një sistem të fuqishëm të monitorimit të rasteve të paraqitura”.
Shkenca e vërtetoi në qershor: Cigaret elektronike janë të dëmshme
Sipas një studimi që u publikua
në fillim të qershorit, cigaret elektronike me shije të ndryshme, dëmtojnë
rënde enët e gjakut dhe zemrën. Gjetjet të cilat u botuan në revistën “Journal
of the American College of Cardiology”, vërtetojnë se cigaret elektronike me
shije të ndryshme që përdoren gjerësisht nga njerëzit, janë një dëm i madh për
shëndetin e zemrës. Autorët e studimit janë shprehur se efektet anësore, që ato
shkaktojnë në organin më të rëndësishëm për jetën, janë të njëjta si nikotina
që marrin duhanpirësit nga cigaret tradicionale.
“Njerëzit kanë një nocion të gabuar se cigaret
elektronike janë të sigurta,” tha autori i studimi Joseph Wu, profesor në
departamentet mjekësore të mjekësisë dhe radiologjisë, në universitetin e
Stanford.
Pjesëtarët e tjerë të grupit të hulumtuesve thanë se, cigaret elektronike nuk janë të dëmshmeve vetëm sepse përmbajnë nikotinë, si cigaret e zakonshme, por edhe për shkak të kimikateve të tjera që iu shtohen për të pasur shije frutash të ndryshme. Si rezultat, shumë adoleshentë bien pre e konsumimit të cigareve elektronike, që ndryshe i quajnë “shisha”.
Administrata Amerikane e
Ushqimit dhe Ilaçeve, njoftoi nëntorin e vitit të kaluar se përdorimi i
cigareve elektronike, tashmë është bërë një modë për të gjithë nxënësit e
shkollave të mesme kudo në botë. Ekspertët janë të shqetësuar për këtë fakt,
sepse pajisjet e tilla mund të rrezikojnë trurin e adoleshentëve dhe kjo mund
të jetë një ndër mënyrat e para, ku ata do të jenë të hapur ndaj përdorimit të
dograve të ndryshme.
Në këtë studim, u analizuan gjashtë cigare
elektronike me përqendrime të ndryshme nikotine dhe shijesh. Ekipi i Wu zbuloi
se tymi i cigareve elektronike mund të bllokonte enët e gjakut, për shkak të
bashkimit të kimikateve. Gjithashtu, u vu re se efektet ndryshonin në varësi të
shijes që, një person mund të përdorte në cigaret elektronike. Pedagogët e
mjekësisë nga Universiteti i Massachusetts thanë se, është e rëndësishme që të
kryen eksperimente dhe analiza edhe më të thella për të zbuluar efektet e
këtyre produkteve, që fatkeqësisht janë gjithnjë e më të shumta nëpër dyqane
apo kafene.
Prej kohësh cigaret elektronike
kanë qenë në qendër të vëmendjes dhe shtete të ndryshme, kanë ndërmarrë hapa
për t’i ndaluar ato, por nuk ja kanë dalë, pasi janë shumë të preferuara.
Gjithashtu, edhe një studim i vitit të kaluar ka treguar se përdoruesit e
përditshëm të cigareve elektronike ishin më të rrezikuar për të përjetuar atak
kardiak.
“Gjithnjë e më shumë po shohim prova që cigaret
elektronike, mund të shkaktojnë një sërë sëmundjesh dhe janë shumë të dëmshme.
Kur krahasojmë cigaret elektronike me cigaret tradicionale, është njëlloj sikur
të krahasojmë një mollë jeshile me një mollë të kuqe. Të dyja kanë të njëjtin
efekt,” tha Lawrence Phillips, drejtor i kardiologjisë ambulatore në qendrën
akademike mjekësore, Langone Health në Njy Jork.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.