Komunitet

Jo më paketa me 10 cigare në treg, kufizime për nargjilat dhe shishat

Nëpër lokale apo dyqane do të ndalohet që personat nën 18 vjeç të blejnë cigaret elektronike apo shishat/ nargjilë. Kjo është masa më e re që ka qeveria ka ndërmarrë me ndryshimin e ligjit "Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit", i miratuar në mbledhjen e fundit.
Në ndryshimet e reja të këtij projektligji parashikon që çdo njësi paketimi e cigareve elektronike dhe paketim i rimbushjeve të lëngut të nikotinës duhet të përmbajë një fletë informuese në gjuhën shqipe, ku të përfshihen informacion rreth: instruksioneve të përdorimit dhe magazinimit të produktit, duke përfshirë dhe një referencë që ky produkt nuk rekomandohet të përdoret nga të rinjtë dhe nga joduhanpirësit; kundërindikacionet e përdorimit; paralajmërimet për grupet e veçanta të riskut, paralajmërimet për efektet anësore; shkallën e varësisë dhe toksicitetit; dhe detajet e kontaktit të prodhuesit ose importuesit.
Lëngu me përmbajtje nikotine vendoset në treg vetëm kur është në mbajtëse të dedikuara për rimbushje, me volum jo më shumë se 10 ml ose në formën e cigareve elektronike njëpërdorimshe, me volum jo më shumë se 2 ml. Sipas këtij drafti nuk lejohet vendosja në treg e lëngut që përmban më shumë se 20mg/ml nikotinë.
Një ndër masat e tjera që qeveria ndërmerr me anë të këtij projektlgiji është ndalimi i shitjes së paketave normale të cigareve me 10 copë, duke vendosur kushte dhe për sasinë që duhet të kenë qeset e duhanit me dredhje.
"Një njësi pakete cigare duhet të përmbajë të paktën 20 cigare. Një njësi pakete duhan për dredhje duhet të përmbajë jo më pak se 30 gram neto produkt duhani”, thuhet në propozimin e qeverisë.
Qeveria ndalon me këtë draft vendosjen në treg e produkteve të duhanit me shije karakteristike. Nuk ndalohet përdorimi i substancave shtesë të cilat janë të domosdoshme për prodhimin e produkteve të duhanit, siç është përdorimi i sheqernave që zëvendësojnë sheqerin e humbur gjatë procesit të përpunimit të duhanit, me kusht që këto substanca shtesë nuk shkaktojnë shije karakteristike dhe nuk rrisin në një nivel domethënës dhe të matshëm shkallën e varësisë, toksicitetit ose karakteristikave karcinogjene, mutagjene dhe toksicitetit për riprodhim të produktit të duhanit.
Ministria përgjegjëse për shëndetësinë përcakton nëse një produkt duhani konsiderohet produkt duhani me shije karakteristike. Procedurat për mënyrën e përcaktimit të produkteve të duhanit me shije karakteristike bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave. Sipas nenit 6, do të ndalohet vendosja në treg e produkteve të duhanit që përmbajnë aromatizues në secilin prej komponentëve, si filtra, letra, paketime, kapsula apo çdo modifikim teknik që lejon modifikimin e aromës ose shijes së produktit të duhanit ose intesitetin e tymit. Filtrat, letrat dhe kapsulat nuk duhet të përmbajnë duhan apo nikotinë.

"Ndalohet çdo llojforme tjetër reklamimi i produkteve të duhanit, përfshirë promocionin indirekt përmes ngjyrave që përfaqësojnë logot e kompanive, ose promocionin nëpërmjet ekspozimit të produkteve që imitojnë paketimin e jashtëm të një produkti duhani.”, thuhet në nenin 7 projektligjit.
Në këtë draft qeveria ka vendosur afat 4 vite (48 muaj) për kompanitë për të mos zbatuar kushtin që një njësi pakete cigare duhet të përmbajë të paktën 20 cigare dhe që një njësi pakete duhan për dredhje duhet të përmbajë jo më pak se 30 gram neto produkt duhani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë