Futboll

Viera: Të punosh me Balotellin është e vështirë, nuk ishte për një sport kolektiv

Patrick Vieira mund të jetë një trajner i ri, por drejtuesi i Nice pranon se menaxhimi i Mario Balotellit ka qenë një nga sfidat e tij më të mëdha. Ish-mesfushori i Arsenalit, pas lamtumirës nga futbolli, filloi të drejtojë të rinjtë e Manchester City. Më pas u transferua në SHBA te New York City FC, përpara se të zbarkonte te Nice, në prag të sezonit 2018-2019. Një nga ‘’sprovat’’ e Vieira ka qenë stërvitja e Balotellit, i famshëm për temperamentin e tij dhe tendencën për t’i ndryshuar klubet rregullisht.

Sulmuesi italian mbërriti me vonesë në seancën e tij të parë të Nice, nën drejtimin e trajnerit të ri dhe qëndroi vetëm disa muaj, derisa Balotelli u transferua te Marseille. Mario aktualisht luan për skuadrën e vendlindjes, Brescia, ndërsa Vieira rrëfen se ishte shumë e vështirje të punoje me sulmuesin. “Mendësia e Mario ishte e vështirë për një sport kolektiv, - tha për “Daily Mail”. - Filozofia që doja të vendosja, bashkësia dhe etika e punës që doja të ndërtoja, ishte e vështirë për mua të punoja me një lojtar si Mario. Në fakt, ishte vërtet e vështirë për të dy, që të punonim së bashku, kështu që vendosëm të kishim rrugë të ndryshme”.

Vieira kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij nën “tutelën” e Arsene Wenger tek Arsenal, ku fituan tre tituj të Premier League në veri të Londrës. Ai e  pranon që bashkatdhetari i tij ka pasur një ndikim të madh te vendimi për t’u bërë trajner: “Edhe kur Arsene ishte në një periudhë të vështirë, ai ruante të njëjtin nivel. Nuk ndryshonte as kur ne po fitonim, as kur po kumbisnim. Kjo është diçka që më pëlqen dhe  është e rëndësishme, sepse si lojtar të jep besim. Të gjithë trajnerët që kam pasur, nga Wenger te Jose Mourinho deri te Roberto Mancini, i respektonin lojtarët dhe dinin të silleshin e lidheshin me ta”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë