Bota

Videoja e ushtareve izraelite të rrëmbyera nga terroristët e Hamasit. Netanjahu: Jam i tmerruar

Gazeta Si- Familjet e vajzave ushtare të rrëmbyera në bazën izraelite të Nahal Oz të kapura nga Hamasi gjatë sulmeve të 7 tetorit, publikuan një version të redaktuar, 3 minuta e 9 sekonda nga mbi trembëdhjetë minuta tmerri nga një video tronditëse.

Gjithçka për të rritur presionin mbi qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanjahu që të sigurojë lirimin e tyre.

Videoja tregon gratë që janë pjesë e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) të rreshtuara përballë një muri, me duart e tyre të lidhura. Fytyrat e disa prej grave janë të mavijosura dhe të gjakosura.

Sipas Forumit të Familjeve të Pengjeve, pamjet u publikuan më parë nga Hamasi. Grupi e mori atë nga IDF, e cila kishte edituar më parë videon për të përjashtuar skenat shqetësuese.

"Çdo dëshmi e re për atë që ndodhi me pengjet i bën jehonë të njëjtës së vërtetë tragjike. Ne duhet t'i kthejmë të gjitha në shtëpi, tani," tha Forumi i Familjeve të Pengjeve në një deklaratë për shtyp të mërkurën.

Gratë u rrëmbyen gjatë sulmit të Hamasit në bazën ushtarake izraelite Nahal Oz, pranë Rripit verior të Gazës, si pjesë e sulmeve të grupit militant ndaj Izraelit që lanë rreth 1200 njerëz të vdekur dhe më shumë se 250 të kapur dhe të marrë peng në enklavë.

Pas sulmit, Izraeli nisi një luftë në Gaza që ka vrarë  më shumë se 35,000 palestinezë  gjatë shtatë muajve të fundit, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Gaza. Gratë e rrëmbyera  punonin si vëzhguese të IDF-së, një rol që përfshin monitorimin e sigurisë kufitare të Izraelit.

Netanyahu tha të mërkurën se “është i tmerruar” nga videoja që tregon rrëmbimin e vëzhguesve në terren.

“Izraeli do të vazhdojë të bëjë gjithçka për t'i sjellë në shtëpi dhe mizoria e terroristëve të Hamasit vetëm sa rrit vendosmërinë time për të luftuar me forcë deri në shkatërrimin e Hamasit, për të siguruar që ajo që kemi parë këtë mbrëmje nuk do të ndodhë më", tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë