Futboll

Video/ Vllaznia luan “tenis” me Dinamon, 6 gola dhe vend i dytë për shkodranët

Fitore spektakolare e Vllaznisë në “Loro Boriçi”. Shkodranët shënuan plot 6 herë në portën e Dinamos, duke treguar qartë potencialin e madh që kanë në sulm, ndërsa 3 golat e pësuar në këtë rast nuk kanë aspak rëndësi. Kjo fitore i ka dhënë Vllaznisë vendin e dytë në renditje, me 9 pikë pas 5 javësh, 2 pikë pas Tiranës kryesuese.

Dhe ndeshja nisi keq për skuadrën e Bërdariç. Ibraimi kaloi Dinamon në avantazh pas vetëm 5 minutash, por përgjigja shkodrane erdhi shpejt. Dianje barazoi me kokë gjatë një goditjeje këndi, kurse Gjurgjeviç realizoi golin e dytë, duke e çuar Vllazninë në avantazh në dhomat e zhveshjes për pushimin e ndeshjes.

Aralica shënoi golin e tretë në fillim të pjesës së dytë, pas një pasimi të saktë të Latifit. Dinamo u rifut në lojë me ndihmën e VAR-it, që akordoi një penallti për një ndërhyrje të parregullt në zonë ndaj Skukës. Kapiteni dinamovit, Ibraimi, shkurtoi diferencën në 3-2, por menjëherë më pas blutë morrën goditjen e radhës, sërish nga Aralica, i cili realizoi me kokë pas krosit nga këndi.

Emocionet spostohen menjëherë në krahun tjetër, ku Dinamos rihap sërish ndeshjen me golin me kokë të Skukës. Kryeqytetasit shpresojnë për barazimin, por Jonuzi realizon një gol spektakolar me një goditje fluturimthi nga jashtë zonës dhe 5-3. Në fund ka kohë edhe për golin e 6-të të Vllaznisë, që ka për autor Mustedanagiç. Mbyllet kështu gjithçka 6-3, me shkodranët në delir, kurse Dinamo mbetet në kuotën e 6 pikëve.

Abissnet Superiore, java e 5-të
Sot
Vllaznia-Dinamo 6-3
Të dielën
Partizani-Kukësi 1-1
Teuta-Tirana 2-3
Të shtunën
Laçi-Egnatia 0-1
Kastrioti-Skënderbeu 2-0


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë