Futboll

Video/ Turpërim historik për Junajtid, Liverpuli bën 5 në “Old Trafford”

Fitore e jashtëzakonshme e Liverpulit në fushën e Mançester Junajtid, 0-5, me gola të Keita, Diogo Jota dhe një tripletë të Salah. Skuadra e Solskjaer u nënshtrua që në pjesën e parë, ndërsa djemtë e Klop, pas këtij seksesi, mbajnë vendin e dytë, pas Çelsit.

Perjetimi i Ronaldos per humbjen e thelle. Gazeta Si, 24 tetor 2021

Liverpuli u shfaq një skuadër me instikt “killeri” në “Old Trafford”. Pa kaluar 5 minuta gjeti golin, pas një kombinimi mes Milner, Salah dhe Keita, me këtë të fundit që mposhti De Gean. Bruno Fernandes gaboi fatalisht përballë Alison, duke gjuajtur lart, ndërsa Firmino më pas u ndal në dy kohë nga De Gea.

Diogo Jota firmosi golin e dytë në minutën e 13-të, kur pas një mosmarrëveshjeje të Meguajër dhe Shou, Liverpuli sulmoi rrezikshëm dhe portugezi, në shtyllën e dytë, e dërgoi topin në rrjetë. Kristiano Ronaldo jep sinjalin se është në fushë në minutën e 22-të, kur një kundërsulm i Mançesterit mbyllet me goditjen e tij të gabuar.

Grinvud detyron Alisonin të bëjë një “fluturim”. Edhe në anën tjetër De Gea shpëton ekipin e tij nga goditja përfundimtare, duke i mohuar golin Salah. Por kapitullimi është vetëm çështje kohe në fakt, sepse Salah i çon shifrat në 0-3. Para se skuadrat të shkojnë në dhomat e zhveshjes, egjiptiani realizon edhe golin e 4-t, pas pasimit të Diogo Jotas.

Sapo nis pjesa e dytë, Salah siglon tripletën personale, pas një topi nga thellësia të Henderson. Ronaldos i anulohet një gol për pozicion jashtë loje dhe më pas VAR-i ndërhyn për një karton të kuq për Pogba, për një faull shumë të ashpër ndaj Keita. Francezi kishte hyrë në fushë në pjesën e dytë. “Djajtë” i kanë lënë nervat dhe tashmë e shohin kreun 8 pikë larg, ndërsa Solskjaer është në rrezik serioz.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë