Futboll

Video/ Triller në Elbasan, Partizani ‘hipnotizon’ Teutën në shtesë

Fitore dramatike e Partizanit në “Elbasan Arena” ndaj Teutës, në ndeshjen hapëse të javës së 10-të të Abissnet Superiores. Skuadra e Ilir Dajës ka kaluar në ‘ferri’ në ‘parajsë’ në fundin e ndeshjes, kur përmbysi rezultatin nga 0-1 në 2-1. Një fitore shumë e rëndësishme kjo për të kuqtë, për momentin që po kalonin dhe që pritet të ndikojë në të ardhmen e tyre.

U duk si një fotokopje e ndeshjes së fazës së parë në fakt, me sulmuesin Giorgiev që realizoi për Teutën në pjesën e parë, këtë herë jo ndaj Hoxhës, por ndaj Teqjas. Partizani rrezikoi disa herë më pas, por pa mundur të barazonte.

Ndeshja vazhdoi identike deri në momentin që të kuqtë fituan penallti 2 minuta para fundit, por ndryshimi qëndron te gjuajtja e brazilinit Stenio Zhunior, që këtë radhë nuk mund të gabonte përballë portierit Qirko.

Arbitri Bajrami akordoi 6 minuta shtesë dhe kaq ishte e mjaftueshme që Partizani të gjente golin e fitores me anë të sulmuesit Tedi Cara, i cili veproi bukur mes mbrojtësve durrsakë, pas një topi të marrë nga e djathta, dhe tundi rrjetën. Të kuqtë në delir, kurse lojtarët e Teutës, pas vërshëllimës përfundimtare, kontestuan gjykimin.

Nuk munguan as momentet e tensionit. Para se Partizani të barazonte me penallti, pas një zënke mes lojtarëve, Albion Marku dhe Albano Aleksi u ndëshkuan me karton të kuq, duke i lënë skuadrat e tyre me nga 10 vetë.

Pas kësaj fitoreje, Partizani katapultohet në vend të 5-të, me 12 pikë, vetëm 1 pikë pas Teutës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë