Futboll

Video/ Teuta dhe Laçi fitojnë në transfertë me nga një “krismë”

Java e 6-të e Superiores ka nisur sor me dy ndeshje të saj, Egnatia-Teuta dhe Kastrioti-Laçi. Të dyja këto sfida i kanë fituar skuadrat udhëtuese me të njëjtin rezultat, 0-1.

Kampionët në fuqi të Teutës triumfuan në Rrogozhinë, falë golit të Sherif Kallakut me penallti. Ndeshja pati edhe raste të tjera, si për durrsakët, ashtu edhe për rrogozhinasit, por në fund vendosi goli i kapitenit të Teutës, që me këtë fitore ngjitet në kuotën e 11 pikëve, duke barazuar Tiranën kryesuese.

Laçi ka regjistruar sot fitoren e parë dhe me sa duket, ka pasur nevojë për ndryshimin në stol. Kurbinasit janë drejtuar nga Sero Noka në ndeshjen me Kastriotin, ku arritën të merrnin 3 pikët me golin e Mentor Mazrekajt. Një fitore shumë e rëndësishme, që i largon laçianët nga fundi i tabelës.

Abissnet Superiore vazhdon të dielën me dy ndeshjet e tjera Skënderbeu-Dinamo dhe Kukësi-Vllaznia, ndërsa derbi Tirana-Partizani do të zhvillohet ditën e hënë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë