Futboll

VIDEO/ Skënderbeu fiton në minutën e fundit, vlonjati fundos Flamurtarin

Kanë kaluar 10 vjet, por duket sikur ka ndodhur një shekull më parë. Ishte sezoni 2010-2011 kur titulli kampion, diskutohej midis Flamurtarit dhe Skënderbeut. Por sot, realiteti është komplet ndryshe. Skënderbeu vazhdon të qëndrojë në zonë rreziku, në pritje të një përgjigje pozitive nga Gjykata Federale e Zvicrës, në mënyrë që të luajë në Europë. Nga ana tjetër, Flamurtari duket i dorëzuar, përpos premtimeve të Sinan Idrizit.

Përsa i përket ndeshjes, Ilir Daja hodhi në fushë një formacion të njëjtë nga takimi i fundit, ku ndryshimi i vetëm ishte ulja në stol e mesfushorit Shqiprim Taipi, ku në vend të tij është aktivizuar Asion Daja. Në krahun tjetër, ekipi bregdetar luajti me një mbrojtje të sajuar, ku binte në sy numri i madh i futbollistëve të rinj të aktivizuar.

Pjesa e parë nisi me një qarkullim të mirë të topit të korçarëve, ku sinjalin e parë dha Imami që provon nga distanca, por goditja e mbrojtësit nuk ka saktësi. Flamurtari, shansin më të mirë e pati në minutën e 27-të, pas një harkimi nga e dajthta, topi mbetet në zonë, pas grushtimi të Koliçit, por më pas Haruni e prek me dorë. Përpos rasteve të tjera nga dy ekipet, pjesa e parë përfundon me rrjeta të paprekura.

https://streamable.com/rnqbr

Në fraksionin e dytë, teknikët bënë lëvizjet e tyre, duke kërcënuar në mënyrë të vazhdueshme portat respektive. U duk se Flamurtari po e mbronte mjaft mirë këtë rezultat, por 2 minuta nga fundi i takimit Skënderbeu gjeti golin e fitores me Dejvi Bregun. Tashmë, Skënderbeu shkon në 27 pikë, dhe mban vendin e shtatë, ndërsa ende në fundin e renditjes Flamurtari, me 6 pikë në total.

Skënderbeu-Flamurtari 1-0

Shënues: Bregu 90’

25 janar 2020, ora 14:00

SKËNDERBEU: Koliçi, Meksi, Dita, Pollozhani, Imami, Daja, Elezi, Ndeki, Gripshi, Bregu, Krasniqi. Trajner: Ilir Daja.

FLAMURTARI: Moçka, Gocaj, Nebihu, Qarri, Muçollari, Hoxhaj, Rrapaj, Vrapi, Kreshpa , Haruni, Ribaj. Trajner: Marçelo Troisi.

GJYQTARË: Kreshnik Cjapi, Orgest Grabova, Nuri Rrapaj, Roxhers Muska


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë