Futboll

Video/ Shkëlqen ndaj Juves, shtypi italian: Duhet Strakosha fenomenal!

Në prag të sfidës së kësaj fundjave mes Lacios dhe Juventusit, “Gazzetta dello Sport” i ka kushtuar një artikull portierit të Kombëtares shqiptare, Tomas Strakoshës, duke evidentuar faktin se ai shkëlqen gjithmonë ndaj Juventusit. Strakosha nuk është mposhtur në katër nga shtatë ndeshjet e fundit të Lacios në “Olimpico”. Pritjet e tij kanë bërë diferencën në dy nga ndeshjet me Juventusin, kundërshtarin e radhës, të dyja në vitin 2017, në Superkupën e Italisë dhe në kampionat. Në prag të sfidës së radhës me kampionët e Italisë, Strakosha ndihet plotësisht gati dhe paralajëmron bardhezinjtë. Ja çfarë shkuan konkretisht prestigjiozja italiane:

Duhet ndeshja perfekte këtë fundjavë dhe këtë duhet ta garantojnë si skuadra në total, ashtu edhe individët, duke nisur nga Tomas Strakosha. Portieri shqiptar e tregon veten gjithmonë në të tilla raste, në ndeshje të mëdha, siç është kjo e së shtunës. Kundër Juventusit Strakosha ka bërë gjithmonë mirë dhe ka rezultuar vendimtar në më shumë se një rast. Në këtë kampionat e ka ruajtur të paprekur rrjetën në katër nga shtatë ndeshjet shtëpiake. Tani duhen pritjet e tij ndaj Ronaldos, Dibalës dhe Higuainit.

https://youtu.be/nMw8rErPiek
Strakosha pret penalltinë e Dibalës në fitoren 1-2 të 2017-ës. Gazeta Si, 5 dhjetor 2019

Janë dy ndeshjet e paharrueshme të Strakoshës kundër Juventusit. E para është ajo e datës 13 gusht 2017, kur është zhvilluar finalja e Superkupës së Italisë dhe portieri shqiptar ishte fenomenal me një pritje instikti të pastër ndaj Kuadrados, kur rezultati ishte 0-0. Nëse do të pësonte gol pas pak minutash lojë, do ta komplikonte shumë ndeshjen për Lacion, që më pas arriti të fitonte 3-2 dhe të rrëmbente trofeun. Gjatë asaj ndeshjeje Strakosha reagoi mirë edhe ndaj Higuainit dhe Pjaniçit, duke u mposhtur vetëm nga Dibala me një goditje dënimi dhe me një penallti.

Më 14 tetor të atij viti Strakosha ishte sërish protagonist absolut në një ndeshje që hyri në historinë e Lacios. Bardhekaltërit arritën të fitonin në stadiumin e Juventusit pas 16 vitesh. Ndeshja u mbyll 1-2 dhe portieri shqiptar ishte vendimtar në sekondën e fundit, kur priti një penallti të Dibalës. Ishte një ndeshje mitike për Strakoshën, por edhe për tifozët, të cilët shpresojnë të shohin një Lacio të tillë edhe ditën e shtunë. Ata ëndërrojnë që Lacio të jetë skuadra e parë që do të thyejë Juventusin e Sarrit. Do të ishte një fitore thelbësore për objektivin e Championsin që Lacio ka prej vitesh. Nëse Lacio fiton, në Romë janë të sigurt se rihapet edhe gara e titullit. Janë ëndrra tifozësh, ndërsa të shtunën duhet ndeshja perfekte.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë