Politike

Video shantazh ndaj Sorecas dhe zv.ministres? Meta: Do të kërkoj hetim nga SHISH

Prej muajsh në Shqipëri u përfol se një video shantazhuese qarkullonte ndaj një ambasadorit të rëndësishëm, siç është ai i BE-së, Luigi Soreca me një zëvendësministre të qeverisë “Rama”. Më pas emri doli në media. Ishte Romina Kuko, e cila mban postin e zv.ministres së Brendshme. Mediat qarkullonin lajmet se pikërisht kjo video intime në të cilën pretendohej se shërbente për t’i bërë shantazh diplomatit të lartë në qëndrimet e ndryshme për punën e qeverisë.
Në nëntor të vitit të shkuar reagimi do të vinte nga zv/ministrja Kuko, e cila do të e cilësonte një përgojim dhe se zërat lartë e poshtë janë një goditje nën brenda.
“Jam e befasuar nga disa media që përgojojnë me një lehtësi të neveritshme emrin tim për hesap të luftës qorre me ambasadorët! Aludimet mbi foto takimesh publike ku kam pasur nderin të përfaqësoj qeverinë në krah të Ambasadorit Soreca janë një paturpësi pa limit që të le pa fjalë!” – shkroi Kuko në rrjetet sociale.

https://twitter.com/RominaKuko/status/1197946170288590850?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1197946170288590850&ref_url=https%3A%2F%2Flapsi.al%2F2019%2F11%2F22%2Fzv-ministrja-kuko-reagon-pas-aludimeve-per-nje-video-intime-me-ambasadorin-soreca%2F


Por pas tre muajsh nga kjo histori, sërish i është rikthyer ambasadori Soreca, i cili gjatë një interviste në Top Channel ka sqaruar se përse nuk ka reaguar ndaj një lajmi të tillë. Soreca është shprehur se lajmet janë të rreme ndërsa zbuloi edhe arsyen pse nuk reagoi deri më sot publikisht.
“Sepse nuk doja që ti jepja rëndësi lajmeve të rreme. Lajmet e rreme janë të këqija, shpifja është e keqe. Kush janë ata që shpërndajnë lajme të këqija, pas disa kohësh kjo sjellje e keqe u shkon kundër,”-tha ai i ftuar në emisionin “Open” në Top Channel.
Në lidhje me akuzat për korrupsion, ai u përgjigj: “Më lejoni të them një gjë e nuk do të spekuloj. Nuk jam dakord me ata që akuzojnë kolegët me korrupsion. Një ambasador është institucion dhe përgjigjet që jepen, jepen në formë institucionale. Ne flasim në emër të institucionit, jo vetëm unë, por çdo ambasador tjetër. Çdo gjë që bëjmë këtu monitorohet. Dua që kjo të jetë tejet e qartë. Pra ne monitorohemi.”, tha Soreca.

Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca dhe zv.ministri i Brendshëm, Romina Kuko. Gazeta "Si" 14 shkurt 2020


Reagimi i Presidentit Meta
Pas deklaratave të ambasadorit Soreca ka ardhur edhe reagimi i presidentit Meta, i cili me anë të një deklarate publike nëpërmjet zëdhënësit të tij, Tedi Blushi ka bërë të ditur se kreu i shtetit do t’i kërkojë organeve të specializuara që hetojnë mbi shantazhuesit ndaj ambasadorit Soreca që kishin si qëllim goditijen e pastërtinë e figurës së diplomatit.
“Presidenti Meta duke shprehur solidaritetin e Tij të plotë me ambasadorin e BE, si edhe me një zv/ministre të Qeverisë, e cila mësohet se gjithashtu është përfolur paturpësisht në këtë çështje, bën me dije se shumë shpejt do t’i kërkojë zyrtarisht institucioneve të drejtësisë, Policisë së Shtetit dhe Shërbimit Informativ Shtetëror, të nisin menjëherë hetimet për zbardhjen pa asnjë vonesë të autorëve dhe urdhëruesit të këtij shantazhi të dënueshëm ndaj dy autoriteteve. Presidenti Meta i bën thirrje gazetarëve të distancohen urgjentisht nga çdo skenar i fabrikimit të lajmeve të rreme me qëllim shantazhimin e Ambasadorit të BE dhe çdo diplomati tjetër në Tiranë”, thuhet në reagimin e presidentit.

Presidenti Meta dhe ambasadori Soreca


Por kreu i shtetit gjithashtu ka përfshirë në qëndrimin e tij edhe faktin e kapjes së pushtetit gjyqësor, sipas tij, nga mazhoranca, duke iu referuar vendimit të fundit të Kuvendit për zhveshjen e kompetencave të betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
“Presidenti Meta fton median, opinionin publik, dhe në veçanti shoqërinë civile, të solidarizohen dhe të dënojnë këtë shantazh të paprecedent, si dhe të përqendrohen në denoncimin dhe distancimin nga aktet e rënda të Rilindjes, për kapjen e sistemit të drejtësisë, në veçanti të Gjykatës Kushtetuese, siç ishte rasti më i fundit skandaloz i miratimit të ligjit antikushtetues për instalimin e KRYEKÇK-së, vetëm pak orë para mbërritjes në Tiranë të Komisionit të Venecias, të kërkuar nga vetë Kuvendi”, thuhet në reagimin e zëdhënësit Blushi.
Ndërsa bëri të ditur se “presidenti Meta është i palëkundur në vendosmërinë e Tij për të mbrojtur vlerat europiane, nëpërmjet rivendosjes së besimit dhe integritetit të institucioneve të reja të drejtësisë, me besnikëri të hekurt ndaj Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë