Futboll

Video/ Roma turpërohet keq në Norvegji, Mourinjo “djeg” Kumbullën me shokë

“Tani askush nuk duhet të më pyesë pse luajnë gjithmonë të njëjtët lojtarë. Kush ishte në fushë, ishte inferior ndaj Bodos”. Këto janë fjalët e Zhoze Mourinjos pas humbjes turpëruese të Romës, 6-1, në fushën e nrvegjezëve të Bodo Glimt, që kanë marrë kreun e grupit në Ligën e Konferencës.

Dhe në fushë ishte edhe Marash Kumbulla, mbrojtësi i Kombëtares që luajti 90 minuta në Norvegji. Një paraqitje për t’u harruar për mbrojtësin, i masakruar nga shtypi sportiv italian, ashtu si dhe pjesa tjetër e skuadrës.

Kumbulla është vlerësuar me notën 4.5, ndërsa trajneri Mourinjo, siç kuptohet nga fjalët e tij, e ka ngelur në klasë dhe ka bërë të qartë se pse ai nuk luan në kampionat. Mëkat, pasi Kumbulla vinte pas asaj paraqitjeje shumë të mirë ndaj Polonisë me fanellën kuqezi.

Gjashtë golat e pësuar në Norvegji kanë tërbuar edhe tifozët e Romës, të cilët pas ndeshjes kanë refuzuar fanellën e Lorenco Pelegrinit, i cili shkoi t’u kërkonte ndjesë për disfatën. Mbrojtja e skuadrës italiane ishte krejtësisht apatike në këtë ndeshje dhe Kumbulla ishte ndër më të kritikuarit, sidomos për golin e katërt të Bodos.

Nga kuqezinjtë e tjerë, në fushë ishte për 90 minuta edhe mbrojtësi Enea Mihaj. PAOK-u i tij fitoi 1-2 në fushën e Kopehnagenit. Në Ligën e Europës, Tomas Strakosha ishte titullar në barazimin 0-0 të Lacios ndaj Olimpik Marsejës, ndërsa Hysaj nuk u aktivizua asnjë minutë. Ernest Muçi e nisi titullar me Legian ndeshjen në “Maradona” të Napolit. Ai u ndërrua në pjesën e dytë, ndërsa skuadra polake u mund 3-0, por sërish ka mundur të ruajë kreun e grupit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë