Futboll

VIDEO/ Plas grushti në Shijak, dhuna këtë herë thyen “parashikimet”

Mes shumë e shumë problemesh që ka futbolli ynë aktualisht, dhuna në fushat e blerta, edhe pse është një bashkëudhëtar i pandashëm në këtë sport, këtë herë është shfaqur shumë më herët, duke thyer çdo “parashikim”. Në stadiumin “Tofik Jashari” të Shijakut plasi grushti në ndeshjen mes Erzenit dhe Korabit. Ishte vërtet një ndeshje rivalësh, por jemi ende në javën e 7-të të kampionatit të Kategorisë së Parë.

https://www.facebook.com/kfkorabi.al/videos/976528336033775/?t=1
Dhuna në ndeshjen Erzeni-Korabi. Gazeta Si, 3 nëntor 2019

Më e keqja është se dhuna këtë herë ka ardhur nga vetë protagonistët e fushës, nga futbollistët. Diçka absurde që një ndeshje e fillimit të kampionatit të përjetohet si një sfidë për “jetë e vdekje” dhe nervat të shfryhen te kundërshtari. Një video e publikuar nga klubi i Korabit tregon shumë qartë se si një lojtar i stolit të Erzenit shkon në mes të fushës, ashtu si disa të tjerë, dhe godet me grusht në fytyrë një koleg të ekipit kundërshtar. Në mes të ditës, para qindra e mijëra tifozëve dhe para kamerave. Për fyerjet, sharjet në kor dhe hedhjen e sendeve të forta në fushë nga tifozët është e kotë të flasësh: në futbollin tonë janë sjellje normale.

Dhe kur këto pamje të shëmtuara i sheh në një ndeshje të javës së 7-të, imagjinoni se çfarë mund të ndodhë në pjesën e fundit të kampionatit. Në Shqipëri është e vështirë të pranohet humbja dhe sjellja agresive e tifozëve edhe mund të justifikohet, por ajo e vetë futbollistëve kurrsesi jo. Komisioni i Disiplinës me siguri ka mbajtur shënime për ngjarjen e Shijakut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë