Futboll

Video/ Përmbysje spektakolare në Firence, Interi është një makineri golash

Vetëm pak ditë e humbi kryesimin Interi, që me fitoren e sotme ndaj Fiorentinës ka parakaluar Napolin dhe ka marrë sërish komandën. Një fitore me përmbysje për kampionët në fuqi të Italisë në Firence.

Sotil realizoi për të zotët e shtëpisë në pjesën e parë dhe u duket se për skuadrën e Inzagit kjo ndeshje u bë një malore e fortë. Kapiteni Handanovic e mbajti ekipin në lojë me disa pritje dhe pastaj situata u përmbys brenda dy minutash, me golat e Darmian dhe Xhekos. Interesant është fakti se trajneri Inzagi kishte bërë gati ndërrimet për të dy këta lojtarë, por për fatin e tij dhe të Interit ata shënuan para se të linin fushën e blertë.

Golin e tretë për zikaltrit e realizoi Perisiç në fundin e ndeshjes. Më parë Fiorentina kishte mbetur me 10 vetë, pasi Niko Gonzales u ndëshkua me karton të kuq për protesta. Interi i këtij sezoni është vërtet një makineri golash.

Në 5 ndeshjet e deritanishme zikaltrit kanë shënuar 18 gola, më shumë se çdo skuadër tjetër, me një mesatare prej mbi tre golash për ndeshje, ndërkohë që kanë pësuar 5 gola. Kampionët udhëheqin Serinë A me 13 pikë, 1 më shumë se Napoli, që ka një ndeshje më pak.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë