Ka ndodhur

Video/ Përmirësohet situata e përmbytjeve në Lezhë-Shkodër, evakuohen 300 banorë. Borë në Vermosh e Theth

Gazeta Si - Prej dy ditësh, i gjithë territori i vendit është përfshirë nga reshjet e shiut. Situata më problematike shfaqet në qarkun e Shkodrës, Lezhës dhe Durrësit, ku 623 banesa janë nën pushtetin e ujit. Ndërkohë ka dalë nga shtrati lumi Ishëm dhe Gjadër.

Sipas të dhënave të fundit mbrëmjen e të hënës nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në Agjencinë e Mbrojtjes Civile, ka një përmirësim të konsiderueshëm të situatës së krijuar si pasojë e reshjeve në vend, veçanërisht në dy qarqet më problematike, Shkodër e Lezhë.

Uji është tërhequr nga rruga nacionale, te ura e re e Bahçallëkut dhe pranë Harkut të Bërdicës, duke lejuar qarkullimin e lirë të automjeteve.

Ka prani uji në rreth 4356  ha sipërfaqe, ku tërheqja bëhet më ngadalë, por situata po monitorohet me vëmendje.

Forcat e Armatosura dhe të emergjencave civile kanë ndihmuar në evakuimin e rreth 318 banorëve në qarkun e Shkodrës, të cilat janë strehuar në konvikte apo pranë të afërmve të tyre. Po ashtu janë evakuuar edhe 57 krerë bagëti.

Përmirësim të konsiderueshëm ka edhe situata në Lezhë, por orët në vijim mbeten sërish kritike, bazuar në parashikimet e motit për shtim të reshjeve të shiut.

Në Bashkinë Lezhë zonat më të prekura janë njësitë Dajc, Blinisht, Balldren, ku po punohet për largimin e ujit nga 24 banesa.

Në monitorim është edhe situata sa i përket nivelit të lumenjve, veçanërisht lumit Drin, Gjadër dhe Erzen.

E normalizuar paraqitet situata në Durrës, Kukës, Dibër.

Forcat e Armatosura janë në gatishmëri të plotë për çdo nevojë të banorëve të këtyre zonave dhe do të qëndrojnë në terren edhe gjatë orëve të natës.

Një ditë më parë, 20 nëntor janë shënuar reshjet e para të borës në vendin tonë. Sipas ARRSH bora e parë u shënua në Qafë Thore.

Evakuohen 53 familje në Shkodër dhe Lezhë

Mbi 240 efektivë të Forcave të Armatosura, me 25 motomjete dhe pajisje të posaçme për përmbytjet u përqendruan te henen ne mengjes në këto dy qarqe, në ndihmë edhe të forcave të tjera operacionale.

Për shkak të pranisë së ujit në banesa, është bërë evakuimi i 50 familjeve në bashkinë Shkodër dhe 3 familjeve në fshatin Gruemirë, bashkia Malësi e Madhe. Të evakuuarit janë strehuar në konviktet e shkollave dhe pranë të afërmve të tyre.

Një familje është evakuar nga fshati Mabe, në Lezhë, të cilët janë strehuar tek të afërmit e tyre. Pas kërkimeve intensive është bërë e mundur gjetja e trupave të babë e bir, në fshatin Dedaj, të cilët i mori rrjedha e ujit të përroit në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, fshati Bogë, njësia administrative Shkrel,  bashkia Malësie Madhe.

Punonjësit e ARRSH janë gjatë gjithë kohës në terren për të pastruar akset e bllokuara. Është bërë i mundur kalimi i banorëve të zonave ku ka probleme edhe me rrugë të tjera alternative.

Në aksin rrugor Shkodër- Lezhë, në vendin e quajtur “Harku i Bërdicës”, kalimi bëhet në drejtim të Gurit të Zi. Po ashtu është normalizuar situata në aksin e vjetër Milot-Burrel, ku pati rënie gurësh.

Qarku Shkodër: Më problematike situata paraqitet në qarkun e Shkodrës. Ministria e Arsimit ka marrë vendimin për pezullimin e mësimit në 16 shkolla.  Përmbytjet kanë sjellë rritje të nivelit të përrenjve ose lumenjve që bëjnë të pamundur lëvizjen e nxënësve dhe mësuesve drejt shkollave. Në total janë 27 godina në të cilat nuk mund të zhvillohet procesi mësimor. 2405 hektarë tokë të përmbytura, ndërsa janë 32 familje të evakuuara. Ka prezencë uji  në 590 banesa. Qarkullimi në aksin Shkodër-Tiranë tek Harku i Bërdicës është ndërprerë për shkak të prezencës së ujit rreth 50 cm. Kalimi bëhet nga Guri i Zi.

Qarku Lezhë: Situata në Lezhë është rënduar si pasojë e reshjeve të shiut. 15 banesa janë përmbytur në fshatin Gjadër, 5 banesa në Zojs dhe 3 në Kakarriq. Ndërkohë, nën ujë janë sipërfaqe të mëdha toke në Mabe, Piraj, Gjadër dhe Torovicë. Ura në fshatin Zojsit është e pakalueshme. Lumi Gjadër ka dalë nga shtrati dhe vërshon në zonën e banuar. Është bllokuar rruga Gjadër-Zojz dhe shumë banesa janë rrethuar nga uji.

Ushtria me mjete tokësore dhe ujore për evakukuimin në rast nevoje të komunitetit dhe strukturat e qarkullimit rrugor për ndalimin e përdoruesve të mjeteve në këtë aks rrugor, ndodhen në zonë. Në Bashkitë Mirditë dhe Kurbin nuk raportohet për probleme.

Qarku Durrës: Në Fushë Krujë gjatë natës ka dalë nga shtrati lumi Ishëm, ku uji ka mbuluar sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore kryesisht në fshatin Murqinë dhe Mallkuç ku niveli i ujit nëpër ara shkon në rreth 50 cm. Aktualisht janë rreth 10 banesa të izoluara nga uji në fshatin Murqinë.

Qarku Gjirokastër: 5 njësi Administrative, Luftinjë Bashkia Memaliaj, Piskovë e Frashër Bashkia Përmet, Zagorie Bashkia Libohovë, Dropull i Sipërm Bashkia Dropull, Odrie Bashkia Gjirokastër kanë mbetur pa energji elektrike. Disa akse rrugore janë bllokuar gjatë natës nga rrëshqitja e gurëve, por me ndërhyrjen e ARRSH janë liruar.

Edhe në Qarkun e Dibrës situata është e qetë. Gjatë natës ka pasur rënie gurësh në aksin Milot-Burrel në afërsi të tunelit të Shkopetit, ku është bllokuar rruga. Ndërhyrja e kompanisë mirëmbajtëse ka qenë me vonesë, dhe rruga është bërë e kalueshme në një sens vetëm pas mesnatës. Deri tani nuk raportohen problematika.

Bora zbardh Vermoshin dhe Thethin

Gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit ka rënë intensiteti i reshjeve të shiut në të gjithë vendin ndërsa në aksin Tamarë-Vermosh dhe Qafë Thore-Theth ka pasur reshje dëbore.

Gjatë ditës së sotme po punohet për pastrimin e rrugëve.

Për momentin në aksin Shkodër-Lezhë në pikën Harku i Bedicës, vazhdon devijimi i makinave në rrugën e Gurit të Zi dhe në Dedaj-Bogë vazhdon devijimi për në rrugën alternative. Kontraktorët me mjete e punëtorë janë në terren për të mbajtur qarkullimin në normalitet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë