Ditën Botërore të Shëndetësisë, Federata Shqiptare e Futbollit ka gjetur një mënyrë origjinale për të mbështetur mjekët, infermierët dhe gjithë personelin sanitar që po lufton në këtë periudhë të vështirë me koronavirusin. Topa dhe fanella të Kombëtares në stadiumin “Air Albania” kanë krijuar një koreografi shumë të bukur. Fanellat, siç bën me dije FSHF në postimin e saj, që do t’u dhurohen “heronjve të heshtur” në shenjë mbështetje dhe solidarizimi.
Ja çfarë shkruan FSHF:
Federata Shqiptare e Futbollit vlerëson maksimalisht punën, mundin dhe sakrificën e mjekëve, infermierëve, sanitarëve, shoferëve të ambulancave dhe gjithë punonjësve në sistemin e shëndetësisë që në vijën e parë po përballen me guxim me virusin vdekjeprurës Covid-19. Në këtë kohë të vështirë, jemi shpirtërisht pranë tyre dhe familjeve të tyre. Federata e Futbollit shpall simbolikisht 459 mjekët, infermierët, sanitarët, shoferët e ambulancave dhe gjithë personelin e përfshirë si Kombëtaren tonë që po përballet me një “ndeshje” të vështirë, të pabarabartë e të padrejtë për jetën njerëzore.
Emrat e tyre u shkruan për secilin në një fanellë të kombëtares shqiptare të futbollit dhe do t’u dhurohen këtyre heronjve të heshtur në shenjë vlerësimi, mbështetjeje dhe solidarizimi. Sot, në Ditën Botërore të Shëndetit, fanellat e punonjësve tanë të shëndetësisë, mbushën fushën e stadiumit kombëtar “Air Albania” me mesazhin: MJEKËT KOMBËTARJA JONË!
Emrat e tyre do të qëndrojnë në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit si një kujtesë për sakrificën e tyre! Gjithashtu, Federata e Futbollit duke menduar fëmijët e tyre, do të shpërndajë edhe 459 topa që vogëlushët të mund të luajnë futboll në kushtet e shtëpisë. Ne sërish bëjmë thirrje që të qëndrojmë në shtëpitë tona, si përpjekja më e mirë për të ndaluar përhapjen e virusit. Kjo është mbështetja më e madhe që mund tu japim mjekëve tanë, që kanë lënë familjet e tyre dhe ditë e natë po rrezikojnë jetën për ne duke u ndeshur me virusin! Ne krenohemi me ta. Ne besojmë se shumë shpejt, të gjithë sëbashku do ta fitojmë këtë “ndeshje”!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.