Futboll

Video/ Milani godet në Spanjë, Mesias ndez ëndrrat e kuqezinjve

Një gol i shënuar nga braziliani Mesias 3 minuta para fundit rifut në garë Milanin për kualifikimin në Ligën e Kampionëve. Kuqezinjtë kanë marrë fitoren e parë në grup në Madrid dhe tashmë ëndërrojnë për një vend në fazën e 1/8-ve. Në ndeshjen e fundit Milani duhet të mundë Liverpulin dhe të shpresojë për kombinimin e duhur me rezultatin e sfidës mes Portos dhe Atletikos.

Një goditje e befasishme e Milanit në fushën e Atletiko Madrid. Skuadra e Piolit ka fituar 0-1 në Spanjë, duke rindezur shpresat e kualifikimit, edhe pse jo gjithçka e ka në dorën e vet në 90 minutat e fundit në grup.

Ishte një ndeshje me personalitet ajo që Milani zhvilloi në “Wanda Metropolitano”, ku e kontrolloi lojën gjatë gjithë kohës. Kuqezinjtë iu afruan golit dy herë me Bakajokon para aksionit fitues. Firma e suksesit mban emrin e Mesias, i cili tri minuta para fundit mposhti portierin Oblak me një gjuajtje të saktë me kokë.

Milani ngjitet në kuotën e 4 pikëve dhe mban vendin e tretë në grup, duke parakaluar Atletikon me golaverazh më të mirë. Grupin e udhëheq me pikë të plota Liverpuli, që sot mundi Porton 2-0, duke i bërë edhe një nder Milanit.

Në ndeshjet e tjera, Real Madrid fitoi 0-3 në fushën e Sherif Tiraspolit, duke marrë kreun dhe duke kualifikuar edhe Interin. Mançester Siti fitoi me përmbysje ndaj PSG-së, 2-1, ndërkohë që duhet evidentuar humbja 3-1 e Borusia Dotmundit në fushën e Sportingut të Lisbonës.

Ndeshjet e 5-ta të Grupeve A, B, C dhe D
Sot
Beshiktash-Ajaks 1-2
Inter-Shakhtar 2-0
Atletiko Madrid-Milan 0-1
Liverpul-Porto 2-0
Mançester Siti-PSG 2-1
Bryzh-Lajcig 0-5
Sherif Tiraspol-Real Madrid 0-3
Sporting Lisbonë-Borusia Dortmund 3-1


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë