Ka ndodhur

Me mbi 100 kg kanabis në rulot, pranga dy rumunëve në Kapshticë: E kishim marrë me qira!

Gazeta Si - Dy shtetas rumunë janë vënë në pranga për trafikim të lëndëve narkotike në Kapshticë. Ata janë arrestuar, pasi në kamperin e tyre u gjet një sasi prej 118 kilogramësh kanabis.

Ata kanë deklaruar në polici që rulotin e kishin marrë me qira dhe nuk ishin në dijeni të lëndës narkotike të fshehur në të.

Rumunët janë të komunitetit rom dhe dyshohet se lënda narkotike kishte si destinacion Rumaninë. Ata do të kalonin tranzit në Greqi për ta çuar më pas ngarkesën me drogë në Rumani.

“Si rezultat i këtij operacioni, nga specialistët e Seksionit për Narkotikët dhe Trafiqet e Paligjshme të DVP Korçë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: G. C., 54 vjeç, banues në Ghimpajti dhe D. B., 36 vjeçe, banuese në Bukuresht, Rumani”, njoftoi policia.

Droga u zbulua në doganën e Kapshticës. Policia thotë se ka ushtruar kontroll të imtësishëm ndaj tyre dhe në pjesën e bagazhit gjetën 79 pako me kanabis.

Kjo nuk është hera e parë që shtetas rumunë kanë tentuar të trafikojnë drogë nga Shqipëria. Në mars u vunë në pranga 4 rumunë, pasi u kapën në Vlorë me 260 kilogramë lëndë kanabis. Edhe në këtë rast, ata e fshehën drogën në vende të posaçme të makinave kamper.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë