Drejtësia

Ruloti me drogë në Kapshticë, lihet në burg çifti i rumunëve. Avokati: Nuk kishin dijeni

Gazeta Si - Çifti dy rumunët që u kapën në doganën e Kapshticës me rreth 100 kilogram kanabis të fshehur në rulotin që po udhëtonin, janë lënë në burg.

Gjykata e Korës vendosi sot të mos ndryshojë masën e sigurisë për Geroge Coman 56 vjeç dhe Daniela Buturugaru 38 vjeçe.

Të dy u ndaluan 3 ditë më parë në pikën kufitare dhe pas kontrollit në skaner të automjetit, u konstatua diçka e dyshimtë që detyro policin kufitare të ushtrojë kontroll më të imtësishëm.

Në seancën e sotme, çifti i ka qëndruar fjalëve që kanë thënë në polici se nuk ishin në dijeni për lëndën narkotike.

Prokuroria në vazhdim do të duhet të bëjë analizat e gjurmëve dalitoskopike për mjetën dhe lëndën narkotike.

Ata kanë deklaruar se në Shqipëri do të kalonin tranzit, pasi do të shkonin për pushime në Selanik. Mbrojtja ka kërkuar një mëse sigurie më të lehtë, atë të mos lejimit të daljes nga territori i Shqipërisë.

Avokati i rumunëve, Mateo Balli tha pas seancës: "Të dy shtetasit mohojnë të kenë dijeni për drogën. U kërkua masë më e lehtë, ndalim i daljes jashtë Shqipërisë. Sasia e dyshuar është prova e prokurorisë dhe gjurmët e gishtave. Deklarojnë që kanë qenë turistë, kanë kaluar pushime dhe në Selanik. Të dy janë ndihmës kuzhinierë".

Kjo nuk është hera e parë që shtetas rumunë kanë tentuar të trafikojnë drogë nga Shqipëria. Në mars u vunë në pranga 4 rumunë, pasi u kapën në Vlorë me 260 kilogramë lëndë kanabis. Edhe në këtë rast, ata e fshehën drogën në vende të posaçme të makinave kamper.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë