Futboll

Video/ Mbrëmje për kopertinë, Rei Manaj realizon 3 gola për Barcelonën A

Jo vetëm që u grumbullua nga trajneri Koeman në ekipin e parë për miqësoren me Gimnastik, por luajti pjesën e dytë dhe shënoi 3 gola në fitoren 4-0 të kësaj ndeshjeje. As vetë Rei Manaj nuk e kishte ëndërruar një mbrëmje të tillë me fanellën e Barcelonës A. Një mbrëmje për kopertinë për sulmuesin e Kombëtares, që me këtë paraqitje sigurisht mund të zgjojë interesin e klubeve me emër, ose ndoshta mund ta bindë stafin katalanas për ta mbajtur në skuadër.

Manaj u fut në fushë sapo nisi pjesë e dytë, kur rezultati ishte 0-0 (Gimnastik mbeti me 10 vetë që në minutën e 38-të) dhe trajneri Koeman bëri shumë ndërrime, duke hequr senatorë si Pike, Umtiti, Pjaniç e të tjerë, për të hedhur në fushë të rinjtë.

Në minutën e 60-të sulmuesi kuqezi shënoi golin e parë të ndeshjes me një veprim të bukur teknik. Ai i shpëtoi mbulimit të mbrojtësit kundërshtar në zonë dhe topi i gjuajtur prej tij në pozicion diagonal me portën, pasi preku traversën, përfundoi në rrjetë.

Barcelona shënoi golin e dytë në minutën e 85-të dhe vetëm pas një minute Manaj shënoi edhe golin e tretë dhe të dytin personal, duke e shtyrë topin me gjoks drejt rrjetës nga shumë afër portës. Në minutën e fundit ai vulosi shifrat në 4-0 me një penallti, duke kompletuar kështu mbrëmjen magjike me Barcelonën A. Një mbrëmje që do të mbetet gjatë në kujtesën e sulmuesit lushnjar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë