Futboll

VIDEO/ Marsiani Mesi shpërthen me 4 gola, Barcelona kalon Realin

“Camp Nou” konteston drejtuesit e Barcelonës për çështjen e rrjeteve sociale që shpërtheu para pak ditësh, ku përfshihej edhe Mesi, i cili ndaj Eibarit ka shpërthyer me 4 gola, duke i ngjitur katalanasit në krye, 2 pikë para Real Madridit.

Shumë shami të bardha në shenjë proteste ndaj Josep Maria Bartomeut, presidentit të Barcelonës, dhe 4 gola nga Leo Mesi. Ndeshja e Barcelonës ndaj Eibarit, që përfundoi 5-0, nisi me protestën e tifozëve ndaj kupolës drejtuesve të klubit, me mesazhin e qartë ‘Bartomeu dimision’, dhe vazhdoi me “pokerin” e Mesit. Katalanasit ngjiten në vend të parë me këtë fitore, me 2 pikë diferencë ndaj Realit, që u mund 1-0 në fushën e Levantes.

Presidenti Bartomeu në fakt nuk është dukur aspak i shqetësuar nga sjellja e tifozëve, të cilët nuk e pranojnë “planin” e tij për të denigruar lojtarët kryesorë të ekipit, duke paguar një kompani për të krijuar profile false në rrjetet sociale. Një çështje që ka pushtuar Spanjën dhe që i ka tronditur edhe vetë lojtarët e Barcelonës, edhe pse ata për momentin e konsiderojnë thjesht një “rast të çuditshëm”. Ka zëra se te katalanasit do të ketë së shpejti zgjedhje për drejtuesit e rinj.

https://youtu.be/0aag-uIrRkw
Golat e Mesit ndaj Eibarit. Gazeta Si, 23 shkurt

Lionel Mesi kishte disa ndeshje pa shënuar dhe ndaj Eibarit shpërtheu me 4 gola, 3 prej të cilëve që në pjesën e parë. Argjentinasi u duk ai i kohëve të arta, me driblime kundërshtarësh dhe inkursione shpërthyese. Tifozët katalanas janë dukshëm në krahun e tij dhe kundër Bartomeut.

Real Madrid në krahun tjetër duket në vështirësi. Pas barazimit në fushën e tij me Selta Vigon, është mundur 1-0 nga Levante dhe ka humbur kryesimin e kampionatit. Shumë nervozë janë dukur madrilenët pas ndeshjes, ku kapiteni Serxho Ramos ka akuzuar arbitrat për arrogancë, ndërkohë që një tjetër lajm i keq për ta është dëmtimi i Eden Hazard.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë