Futboll

Video/ Laçi nderon futbollin shqiptar në Europë, Teuta është për turp

Laçi ka arritur të vetmen fitore për skuadrat shqiptare në Ligën e Konferencës. Vllaznia u mund 1-0 në Qipro nga Ael Limasol, ndërsa Teuta është turpëruar në Durrës edhe nga amatorët e Inter Eskaldes të Andorrës. Një tjetër humbje për kampionët e Shqipërisë, pas atyre në Ligën e Kampionëve ndaj Sherif Tiraspolit, por këtë herë ndaj një kundërshtari shumë të lehtë.

Përsëri sulmi i Teutës, me Seferin, Krasniqin, Vilën dhe Giorgiev, nuk ka shënuar, po ashtu edhe mbrojtja ka përgjegjësi të madhe për 2 golat e pësuar në stadiumin “Niko Dovana”. Durrsakët kanë në dispozicion edhe ndeshjen e kthimit për të vënë në vend dinjitetin, në të kundërt do të ishte një dështim total për ta eliminimi dhe për më tepër paraqitja shumë e dobët në fushë. Fitorja e tyre sot konsiderohej thuajse e sigurt.

Laçi ka fituar 1-0 në “Elbasan Arena” ndaj rumunëve të Universitatea Krajovës. Një fitore që u jep shanse të mëdha kualifikimi kurbinasve, pasi ata nuk kanë pësuar gol. Ndeshja u vendos nga një kundërsulm model i skuadrës së Duros, me protagonistë Guindo dhe Lushkjan dhe i finalizuar nga Zarubica.

Shanse për kualifikim ka edhe Vllaznia, që u mund 1-0 në fushën e Ael Limasolit, por në kthim mund të bëjë një tjetër përmbysje si ajo ndaj Shiroki Brijeg. Shkodranëve u duhet një gol një javë më pas për ta çuar kualifikimin në shtesë, ndërsa me 2 gola do të kalonin direkt. Gjithçka është e hapur për skuadrën e Bërdariç, që në Qipro u ndëshkua që në pjesën e parë dhe nuk mundi të barazonte, pavarësisht përpjekjeve të mëdha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë