Futboll

Video/ Junajtid e nis me humbje në Zvicër, 4 penallti në Sevilje brenda nje pjese

Ka nisur zyrtarisht Liga e Kampionëve 2021/2022, ndeshjet në grupe të kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube. Dhe ka nisur me një surprizë: Jang Bojs ka mundur 2-1 me përmbysje Mançester Junajtid. Sfida mes Seviljes dhe Salcburgut ka përfunduar në barazim, 1-1.

U duk sikur gjërat u sistemuan shpejt për Mançester Junajtid, që kaloi në avantazh me aksin portugez Bruno Fernandes-Kristiano Ronaldo. Mesfushori dha një pasim të bukur për CR7, që mposhti portierin Von Balmos, edhe ky i paqartë në ndërhyrjen e tij. Ndeshja mori kthesë në minutën e 35-të, kur Van-Bisaka ndërhyri ashpër ndaj Martins Pereirës dhe u ndëshkua me të kuq, duke e lënë skuadrën e tij me 10 vetë.

Solskjaer hodhi në fushë edhe Varane në pjesën e dytë, duke zëvendësuar një van de Bek zhgënjyes. Zviceranët sulmuan dhe barazuan me Ngamaleu. Junajtid po vuante dhe Solskjaer ndërroi edhe Ronaldon me Lingard pas 72 minutash. Jang Bojs përfitoi nga një kthim topi i gabuar i Lingard në minutën e 95-të dhe gjeti golin e fitores me Siebatcheu.

Në Spanjë, Sevilja dhe Salcburgu barazuan 1-1, por kjo ndeshje do të kujtohet për faktin se në pjesën e parë janë akorduar 4 penallti, 3 për miqtë dhe 1 për vendësit. Adejemi gaboi të parën, Suçiç shënoi të dytën për austriakët, por gaboi të tretën. Penalltinë e Seviljes e ktheu në gol Rakitiç. Edhe në pjesën e dytë ndodhi gjithçka në fushë. En Nesyri, i ndëshkuar më parë, bëri një simulim komik dhe shkoi të bënte dush para të tjerëve. Pritjet e Bonos i dhanë një pikë Seviljes në këtë ndeshje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë