Njerez

Video/ “Je dashnia jonë”, Sidrit Bejleri publikon këngën e re për Vllazninë

“Porsi gurë të Rozafës së Lashtë,
ti Vllazni me vllazën bashkë”,
gjyshat tonë e baballarët,
brez mbas brezi ty të kanë dashtë”.

Kështu fillon kënga e re e Sidrit Bejlerit, kushtuar ekipit të futbollit të Vllaznisë. Një këngë që ishte paralajmëruar më parë nga këngëtari i njohur shkodran, i cili ka shkruar tekstin dhe ka bërë edhe muzikën, ndërsa produksioi muzikor është i një tjetër shkodrani, Shpëtim Saraçit.

Ecuria mjaft e mirë e Vllaznisë, - që mban vendin e parë edhe pas disa rezultatesh zhgënjyese, - kishte ngacmuar dyshen Bejleri-Saraçi për t’i kushtuar asaj një këngë, sigurisht në dialekt. Dhe ideja është konkretizuar tashmë me këngën që mban titullin “Vllazni”, ku ndihmën e tij ka dhënë edhe presidenti i ekipit, Alban Xhaferi.

Videoklipi është realizuar i gjithi në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, me regjinë e Eduart Grishajt. Në të shfaqen momente nga ndeshje të ndryshme të Vllaznisë ndër vite dhe momente kur kjo skuadër ka fituar trofe në futbollin shqiptar.

Vetë këngëtari Sidrit Bejleri e ka postuar këngën e re në rrjetet sociale, ku më pas ajo është shpërndarë nga tifozë dhe dashamirës të Vllaznisë. Të gjithë urojnë që kjo këngë t’i sjellë fat Vllaznisë për të fituar titullin kampion.

“Vllazni, Vllazni, je dashnia jonë, ne me ty kuqeblu gjithmonë”, - është refereni i këngës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë