Gazeta Si - Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka mbërritur në Gjykatën e Posaçme Anti Korrupsion pasditen e kësaj të premteje.
Beqaj zbatoi vendimin e dhënë nga Gjykata e Posaçme, se ai duhet të paraqitet para policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, një herë në javë, ditë të premte, ora 15:30.
Ish-ministri ishte korrekt me orarin, ndërkohë që në ambientet e BKH-së qëndroi vetëm 10 minuta, duke u largua më pas, pa folur për mediat.
Për ish-ministrin janë në fuqi dy masa sigurie: “Detyrim për paraqitje” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Ai është nën hetim për koncesionin e sterilizimin, që është miratuar gjatë kohës kur Beqaj drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.
Hetimi nga ana e SPAK për Beqaj vazhdonte prej tre vitesh për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrje në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, si dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë”.
Për llogari të këtij hetimi, në 17 gusht të këtij viti, u arrestua ish-zëvendës ministrin i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, fitues i koncesionit të sterilizimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.