Futboll

Video/ Incidente edhe në Londër, tifozët hungarezë përleshen me policinë

Duket se Grupi I i eliminatoreve të Botërorit, ku bën pjesë edhe Shqipëria, është shumë i nxehtë. Incidente nuk pati vetëm në Tiranë, por edhe në Londër, në “Wembley”, ku tifozët hungarezë janë përleshur me policinë.

Në fakt, ishte si një vazhdim i asaj që ndodhi në ndeshjen e parë në Budapest, ku tifozët hungarezë hodhën sende në fushë dhe bënë gjeste raciste ndaj lojtarëve anglezë. Mbrëmë ata kishin “serinë e dytë” të shfaqjes së turpshme në stadium, ku u përleshën me policinë dhe stjuardët. Një tifoz hungarez është arrestuar, ndërkohë që priten masa ndëshkuese nga FIFA. Policia londineze dhe punonjësit e sigurisë ishin përgatitur mirë pas asaj që ndodhi në shtator në Hungari. Më pak se 1000 bileta u ishin shitur hungarezëve, por sërish incidentet nuk u shmangën.

Nuk vonoi shumë që situata të tensionohej. Mjaftoi fakti që 11 lojtarët e Anglisë u ulën në gjunjë para fillimit të ndeshjes. Hungarezët hapën një parullë kundër iniciativës antiraciste dhe pastaj u përplasën fizikisht me forcat e rendit, duke i shtyrë ata me dhunë drejt tunelit të hyrjes në sektorin ku ata ishin vendosur. Më pas u vendos qetësia dhe pjesa e dytë nuk pati incidente.

Federata Angleze e Futbollit, ka deklaruar: “Jemi në dijeni të incidenteve që ndodhën, po hetojmë dhe për gjithçka do të informojmë FIFA-n". "Pak pas nisjes së ndeshjes, agjentët hynë në tribunë për të arrestuar një spektator që prishi rendin dhe pati një sjellje raciste ndaj një stjuardi, - shkruan policia e Londrës në njoftimin e saj. – Kur agjentët bënë arrestimin, shpërtheu rrëmuja dhe u përfshinë edhe spektatorë të tjerë. Rendi u rivendos me shpejtësi".

Pas ndeshjes, Xhon Stons, autori i golit të barazimit për Anglinë, u shpreh: “Nuk kam asgjë të mirë për të thënë për ta si tifozë dhe si qenie njerëzore”. Kurse Mings e rriti dozën: "Sa herë flasi për racizëm, ndëshkimi që vjen më pas nuk është në linjë me atë që ndodh. Shpresoj sinqerisht që ndëshkimi këtë herë të jetë ai i duhuri”. Trajneri i Hungarisë, Marko Rosi, i ka shmangur komentet për incidentet.

Hungaria u ndëshkua nga FIFA me një ndeshje pa tifozë dhe një gjobë prej 180.000 eurosh për koret raciste ndaj Sterling dhe Belingham gjatë ndeshjes së parë me Anglinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë