Futboll

Video/ Dibala “ngrin” Interin në fund, mbyllet pa fitues derbi i Italisë

Barazim 1-1 në supersfidën e kësaj jave në Serinë A mes Interit dhe Juventusit. Një rezultat që kënaq më shumë dy kryesuesit e klasifikimit, Milanin dhe Napolin. Për Juventusin në fakt është një rezultat i kënaqshëm, ndërsa në kampin zikaltër ka zhgënjim dhe nervozizëm. Trajneri Simone Inzagi është ndëshkuar me karton të kuq në fund.

Paulo Dibala ka “ngrirë” Interin një minutë para fundit të kohës së rregullt, kur shënoi golin e barazimit me një penallti të akorduar nga VAR-i, pas një kontakti mes Dumfries dhe Aleks Sandros.

Kampionët në fuqi kishin shënuar që në minutën e 17-të me anë të Edin Xhekos, i cili dërgoi në rrjetë topin e kthyer nga traversa, pas gjuajtjes së Çalhanoglu. Interi nuk mundi të mbyllte ndeshjen me golin e dytë, ndërsa Alegri provoi gjithçka në pjesën e dytë për të mos dalë i humbur, duke hedhur në fushë gjithë sulmuesit që kishte në stol. Për mënyrën si shkoi ndeshja, pika i kënaq bardhezinjtë, që i afrohen Interit 3 pikë. Zilaktrit kanë 18 pikë dhe tashmë janë larguar 7 pikë nga kreu i tabelës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë