Futboll

Video/ Bazeli i Taulant Xhakës, shumë i fortë për Partizanin

Partizani nuk mundi të dalë mbi parashikimet në ndeshjen me Bazelin në Zvicër. Vetëm 43 minuta rezistuan të kuqtë në stadium “St Jacob Park”. Vendësit zhbllokuan rezultatin në fundin e pjesës së parë dhe në këtë moment strategjia e skuadrës së Dajës u prish. Në pjesën e dytë Partizani pësoi edhe 2 gola të tjerë dhe në ndeshjen e kthimit e ka të pamundur të përmbysë humbjen 3-0.

Trajneri Daja aktivizoi në mbrojtje edhe Damçevskin, blerjen e fundit, përkrah Belicës, Shehit dhe Gligorovit. Në sulm luajti treshja Zhunior-Kardozo-Cara. Stoker ndëshkoi të kuqtë në minutën e 43-të, ndërsa në fillim të pjesës së dytë, braziliani Artur realizoi golin e dytë me një roveshiatë të bukur, duke prerë shpresat e të kuqve për rezultat pozitiv.

Ishte Stoker që shënoi edhe golin e tretë 10 minuta para fundit. Të kuqtë kryen 5 ndërrime pas këtij momenti, por duhet thënë se stoli i Partizanit në këtë moment nuk është se ofron alternativa me kualitet.

Në fushë për Bazelin ishte mesfushori i Kombëtares, Taulant Xhaka, i cili luajti 65 minuta për t’ia lënë më pas vendin kosovarit Edon Zhegrova. Titullar ishte edhe shqiptari tjetër, por me pasaportë zvicerane, Pajtim Kasami. Me këtë humbje të thellë, të kuqtë thuajse i lajnë duart me Europën këtë vit.

Taulant Xhaka gjate ndeshjes. Gazeta Si, 22 korrik 2021

Kanë humbur mbrëmjen e sotme edhe Shkëndija e Tetovës, që u mund 2-0 nga Riga, kurse Shkupi humbi në fushën e tij 0-3 me portugezët e Santa Klarës. Paraqitje mjaft dinjitoze bëri Drita e Kosovës, që barazoi 0-0 me Fejnordin, ekipin e njohur holandez. Edhe Prishtina dy ditë më parë u paraqit mirë, duke fituar 4-1 ndaj Konoahs.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë