Futboll

Video/ Bajerni i jep leksione Barcelonës, Juventusi fiton bindshëm në Suedi

Janë zhvilluar ndeshjet e para në Grupet E, F, G dhe H të Ligës së kampionëve, ku skuadrat e mëdha kanë bërë detyrën, por jo të gjitha. Vëmendja ishte e gjitha te supersfida e “Camp Nou”-t mes Barcelonës dhe Bajernit, ku gjermanët kanë fituar 0-3 dhe kanë marrë menjëherë kryesimin e grupit. Rezultati flet qartë për dominimin e bavarezëve, kurse katalanasit duken “jetimë” pa Leo Mesin.

Tomas Myler, me pak fat, pas devijimit të topit nga një mbrojtës i Barcelonës, e kaloi Bajernin në avantazh në pjesën e parë. I zakonshmi Robert Levandovski thelloi rezultatin në pjesën e dytë me një dygolësh. Sulmuesi polak kishte edhe fatin me vete, sepse në të dy rastet realizoi pasi topi goditi shtyllën nga një tjetër shok i skuadrës.

Në “Camp Nou” ka plakosur heshtja dhe kuptohet qartë se skuadra, pavarësisht mungesave të disa lojtarëve me peshë, ka humbur shumë në nivelin e saj.

Me të njëjtin rezultat ka fituar edhe Juventusi në Grupin H. Skuadra e Alegrit mundi Malmoen në Suedi, me gola të shënuar nga Aleks Sandro, Dibala dhe Morata. Kampionët në fuqi të Çelsit, që bëjnë pjesë në të njëjtin grup, mundën Zenitn me një gol të Romelu Lukakut. Atalanta e Gjimshitit barazoi 2-2 në Spanjë me Vilarrealin. Surpriza e mbrëmjes ishte humbja e Mançester Junajtid në Zvicër.

Ndeshjet e para në grup
Sot
Sevilja-Salcburg 1-1
Jang Bojs-Mançester J 2-1
Barcelona-Bajern M. 0-3
Çelsi-Zenit 1-0
Dinamo Kiev-Benfika 0-0
Lilë-Volfsburg 0-0
Malmo-Juventus 0-3
Vilarreal-Atalanta 2-2


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë