Futboll

Video/ Armando Sadiku rikthehet fuqishëm, dy gola në fitoren e Malagës

Dritë në fund të tunelit për Malgën. Dhe ai që e ka nxjerrë nga “errësira” ekipin spanjoll është sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Armando Sadiku, vendimtar me dy gola në ndeshjen ndaj Tenerifes, e vlefshme për javën e 19-të të kampionatit dhe që përfundoi 2-0.

Sulmuesi 28-vjeçar ishte njeriu i ndeshjes, duke i dhënë Malagës tri pikë që e largojnë nga zona e rrezikshme e rënies nga kategoria. Sadiku, ashtu si mesfushori kuqezi, Keidi Bare, e nisi ndeshjen titullar dhe në minutën e 27-të zhbllokoi shifrat, duke përfituar nga një rrëmujë në zonën kundërshtare. Elbasanasi ishte një ndër lojtarët më të rrezikshëm për ekipin e tij, ai tentoi ta gjente golin edhe me gjuajtjet nga jashtë zonës. Në minutën e 76-të, Malaga fitoi një penallti me ndihmën e VAR-it dhe te pika e bardhë u shfaq Sadiku, i cili dyfishoi me qetësi.

Malaga feston një nga golat e Sadikut. Gazeta Si, 7 dhjetor 2019

Armando Sadiku u zëvendësua 2 minuta para fundit, duke marrë duartrokitjet e publikut, ndërsa Bare qëndroi në fushë deri në fund. Me dopietën ndaj Tenerifes, Sadiku është ngjitur në kuotën e 6 golave, por duhet theksuar se sulmuesi kuqezi nuk ka luajtur rregullisht për shkak të një dëmtimi, që e ka mbajtur atë edhe jashtë Kombëtares në ndeshjet e fundit eliminatore të Euro 2020. Dy golat e shënuar mbrëmjen e së premtes janë një sinjal i qartë se Armando Sadiku, autori i golit historik të Shqipërisë në Europianin e Francës, po rikthehet fuqishëm.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë