Rend dhe Ligj

Raporti: Pse po ngec vettingu. Pesë shkopinj nën rrotat e reformës

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka prezantuar këtë të martë një raport vëzhgimi mbi ecurinë e reformës në drejtësi dhe në veçanti për procesin e vettingut. Raporti përmbledh të gjithë punën e institucioneve të rivlerësimit që nga nisja e punës në muajin mars e deri më tani.

Vërejtja kryesore që nënvizohet nga KShH ka të bëjë drejtpërdrejtë me shpejtësinë e këtij procesi dhe nevojën që ritmet të përshpejtohen.

“Situata aktuale dikton një nevojë të menjëhershme dhe prioritare për të rivlerësuar anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, mandati i të cilëve është i kufizuar për një vit. KED nuk mund të funksionojë me anëtarë që nuk janë konfirmuar nga procesi i Vettingut”, thuhet në raport.

Raporti nënvizon pesë arsye kryesore që po ngadalësojnë procesin. Së pari theksohen kushtet dhe klima politike në të cilën u realizua kuadri ligjor i reformës në drejtësisë.

“Një klimë relativisht e polarizuar politike, çka solli mosmiratimin në të njëjtën kohë të shtatë ligjeve të para organike të sistemit të drejtësisë. Për këtë arsye, zbatimi u shoqërua me mospërputhje afatesh dhe parashikime të tjera tranzitore, që në disa raste kanë kushtëzuar ngritjen dhe funksionimin e KED-së”, thotë KShH.

"Fajtore" gjehet edhe Gjykata Kushtetuese, kur ajo ishte në funksionale dhe mori në shqyrtim ankimimet e dorëzuar në këtë institucion kundër ligjit të vettingut. Sipas KShH-së, koha e marrë në dispozicion nga Kushtetuesja për ta shqyrtuar këtë ligj dëmtoi procesin.

Arsyeja e tretë lidhet sërish me klasën politike. KShH thotë në raport se bojkoti i përkohshëm i opozitës ishte një faktor ndikues në vonesën për ngritjen e institucioneve dhe shkeljes së afatev e ligjore.

Arsyeja e katërt lidhen me burokracitë dhe problemet e shfaqura për akomodimin në një godinë të përshtatshme të institucioneve të vettingut për të realizuar seancat dëgjimore dhe vendimmarrëse.

Në fund, KShH thotë se të gjithë këta faktorë u reflektuan zinxhir tek proceset në vijim dhe sot organet e reja që do të “qeverisin” drejtësinë mungojnë ende.

https://www.facebook.com/KomitetiShqiptarIHelsinkit/videos/185631315714576/

Helsinki thotë se me ritmet aktuale të vettingut do të kërkojë të paktën 6-7 muaj kohë për t’u ngritur institucionet e para të drejtësisë që parashikohen në kuadër të reformës zgjedhore. Raporti vlerëson kryesisht transparencën, por edhe këtu gjen mangësi tek Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, i cili nuk ka fuqi vendimmarrëse, por rekomanduese. Në disa raste, ONM ka rekomanduar apelimin e vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, por sipas KShH jo në të gjitha rastet është bërë transparente arsyetimi i plotë i ndërkombëtarëve.

Mungesa e transparencës vërehet edhe në rastin e denoncimeve të qytetarëve. “Disa qytetarë të cilët rezultojnë se kanë denoncuar pranë KPK-së referojnë se nuk kanë marrë informacion se çfarë është bërë me ankesat e denoncuara prej tyre, nëse ka pasur ose jo një hetim administrativ dhe nëse KPK ka pasur nevojë për informacione apo dokumentacione shtesë lidhur me këto ankesa”, gjen raporti.

Në total janë 84 kandidatë për institucionet e reja të drejtësisë, që u dëgjuan nga komisioni parlamentar ad-hoc. KShH vëren në raport se për 20 për qind të këtyre kandidatëve parlamenti vlerësoi plotësimin e kushteve formale e ligjore, pavarësisht se ndërkombëtarët kishin dhënë rekomandime negative për konflikt interesi dhe pasuri të pajustifikuara.

“Gjatë këtyre seancave dëgjimore u vërejtën elementë të formalizmit, apo edhe raste të polarizimit politik. Një numër kandidatësh të formuar dhe me eksperienca të konsiderueshme jashtë vendit u s’kualifikuan sepse nuk plotësonin formalisht kriteret ligjore”, shtohet në raport.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

KShH ka gjetur gjithashtu edhe raste kur kandidatët për organet e reja të drejtësisë janë vënë nën presionin politik gjatë seancave dëgjimore në komisionet parlamentare ad-hoc.

Shqetësim shprehet për mungesën e burimeve njerëzore, ndërsa qortohen organet ndihmëse, si Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive dhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar. Me këtë të fundit, KShH ka patur edhe një përplasje gjyqësore për të siguruar informacionin që kërkonte.

Sipas informacionit të DSIK-së, rreth 25 për qind e subjekteve të kontrolluara kanë pasur probleme sa i takon figurës së tyre në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar, të cilat janë shfaqur në formën e kontakteve të papërshtatshme, apo në çdo lloj forme tjetër që sipas ligjit të vettingut konsiderohet e papërshtatshme.

Po ashtu, theksohet se në seancën para Komisionit të Ligjeve, DSIK ka referuar se gjysma e subjekteve të kontrolluara prej këtij organi rezultojnë me probleme sa i takon fshehjes së pasurisë, deklarimit të rremë dhe konfliktit të interesit.

Por, të dhënat e DSIK dhe të ILDKPI nuk janë të detyrueshme për institucionet e vettingut, që mund të ndërmarrin vetë një hetim të hollësishëm të kandidaturave edhe sipas vendimit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese.

Raporti i Helsinkit vëren edhe një mungesë koordinimi dhe mospërputhje të dhënash mes ILDKPI dhe DSIK. Në të parën janë 794 subjekte që do t’i nënshtrohen Vettingut, ndërsa në të dytën 801. Kjo mospërputhje mund të lidhet edhe dorëheqja e disa subjekteve të vettingut gjatë procesit të dorëzimit të formularëve të vetë deklarimit pranë këtyre organeve.

Si formë intimidimi raporti i KShH-së vëren edhe përcaktimin si kandidatë për në Gjykatën Kushtetuese të 7 emrave.

“Është e paqartë përse në njoftimin e datës15 maj, për shortimin e 7 prej subjekteve, është vendosur përbri emrit, në kllapa, kandidimi i tyre për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Kandidatët për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese nuk i nënshtrohen procesit të vettingut, por këta kandidatë, me kërkesë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi i nënshtrohen kontrollit të pasurisë nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit si dhe kontrollit të integritetit nga Prokuroria e Përgjithshme. Nëse rezultati i procesit të vettingut të këtyre 7 subjekteve do të përdorej për efekt të kandidimit të tyre në Gjykatën Kushtetuese, kjo mund t’i vendoste këta 7 kandidatë në pozita të pabarabarta me kandidatët e tjerë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese që nuk vijnë nga radhët e gjyqësorit”, vëren raporti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë