Drejtësia

Vettingu shkarkon gjyqtaren Ariana Caco, pjesë e trupës së procesit të ’21 janarit’

Gazeta Si - Komisioni i Vettingut ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren Ariana Gumbardhi Caco, e cila ishte një nga 3 anëtarët e trupës së procesit për “21 Janarin”.

Vendimi i shkarkimit nga KPK erdhi pas konkluzioneve se gjyqtarja nuk justifikonte me pasurinë. KPK konstatoi pamundësi financiare për ndërtimin e shtesave në secilën prej banesave, ajo bashkëngjitur apartamentit në Tiranë me sipërfaqe 68 m2 dhe 70 m2 në Vlorë.

Nisur nga mungesa e dokumentacionit për këto dy investime, Komisioni i ka përllogaritur shpenzimet sipas referencave të Entit Kombëtar të Banesave, EKB, nga kanë rezultuar vlera që nuk janë mbuluar nga të ardhurat e subjektit dhe të personave të lidhur.

Po ashtu, janë deklaruar edhe depozita të krijuara me të ardhura nga puna e bashkëshortit të subjektit si avokat, si dhe nga administrimi i pronave të një familje, me vlerë totale rreth 42 milionë lekë.

Ariana Caco e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe punon prej më shumë se dy dekadash në Gjykatën e Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë