Politike

Vettingu shkarkon Gentjan Osmanin, anëtarin e KLP-së

Organet e reja të drejtësisë kanë pësuar një goditje sot, pasi anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gentjan Osmani është shkarkuar nga sistemi i drejtësisë.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit mori vendimin për përjashtimin e Gent Osmanit nga sistemi i drejtësisë, pasi sipas analizës dhe hetimit të kryer, ai nuk i justifikon dot shpenzimet për dy vitet e deklaruara.
Më 2 gusht të vitit kaluar Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte dhënë vendimin në favor të Osmanit, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë. Vendimi i shkallës së parë u apelua në nëntor të vitit 2018 nga Komisioneri Publik në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, me rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
“Ndryshe nga sa ka konkluduar Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për kriteret e vlerësimit, nuk krijohet bindja se subjekti i rivlerësimit ka arritur nivelin e besueshëm”- theksonte Komisionieri Publik.
Trupi gjykues në KPA i kryesuar nga Natasha Mulaj dhe me anëtarë Albana Shtylla, Ardian Hajdari dhe Rezarta Schuetz pas zhvillimit të disa seancave dëgjimore pas afro një viti vendosën ndryshimin e vendimit të KPK dhe shkarkimin nga detyra të Osmanit.
Pasuria dhe mosjustifikimi i të ardhurave financave janë arsyet që çuan në shkarkimin e anëtarit të KLP-së.

Prokurori Gentjan Osmani në sallë duke u njohur me vendimin e KPA-së


Në parashtrimet e paraqitura nga ana e Komisionerit Publik Komisioneri Publik, për sa i përket pasurisë apartament banimi me sip. 96 m2 , blerë për shumën 82.000 euro, në janar të vitit 2017, nga aktet e administruara në fashikull, ka konstatuar pamjaftueshmëri në burimet e krijimit të kësaj pasurie, pamjaftueshmëri të cilat i ka argumentuar në ankimin e tij të datës 15.11.2018.
Ku apartament ishte blerë nga shitja e apartamentit prej 76 m2, nga kursimet cash ndër vite, dhurimi i prindërve në vlerën 1.500.000 lekëve, si dhe nga huaja e marrë në shumën e 20 mijë eurove.
“Lidhur me huan. Në vlerësim të Komisionerit Publik, edhe pas paraqitjes së provave të reja në seancën e datës 11.7.2019, subjekti i rivlerësimit nuk arriti të shpjegojë dhe vërtetojë bindshëm mënyrën se si kjo hua ka mbërritur te subjekti i rivlerësimit dhe si janë shlyer këstet e saj, sipas deklarimeve të tij në vitet 2011-2013. Në përfundim, Komisioneri Publik ka vlerësuar se provat dhe aktet e paraqitura mbi këtë shkak ankimi nuk mund të konsiderohen si dokumentacion justifikues ligjor mbi burimin e ligjshëm të huas, duke provuar të kundërtën për sa ka rezultuar, sikundër ato nuk provojnë dhe vërtetojnë ekzistencën e kësaj marrëdhënie huaje”, thuhet në relacionin e Komisionerit Publik.
Komisioneri Publik, në pretendimet e paraqitur me 27 korrik, thekson se edhe pas vlerësimit të provave të reja, si dhe pretendimeve të subjektit të rivlerësimit, mbi verifikimin dhe llogaritjen e të ardhurave nga pagat , konstaton se subjekti nuk mbulon me të ardhura të ligjshme shpenzimet dhe kursimet për vitin 2011, në shumën 1,044,035 lekë, dhe për vitin 2013, në shumën 1,145,915 lekë.
Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi secilin prej shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik, bazuar në të gjitha provat e depozituara prej tij gjatë procesit gjyqësor dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të KPK.
Ndonëse KPA hodhi poshtë disa prej ankimimeve të Komisionerit Publik, në fund ka qenë mungesa e mbulimeve të shpenzimeve për dy vite nga ana e Osmanit që solli vendimin për shkarkimin nga detyra.
Ndaj Osmani ka pasur edhe tre ankesa denoncime ndaj tij. Sipas relacionit, në këto denoncime pretendohej se Osmani kishte udhëtuar jashtë vendit me një avokat dhe pas kësaj ishin pushuar hetimet për klientin e këtij avokati. Nga sistemi TIMS, ky fakt nuk rezultonte i vërtetë. Më tej, denoncimi i dytë pretendonte se prokurori kishte përdorur makinën e një zyrtari të administratës, ndaj të cilit kishte pasur hetim për një çështje dhe në denoncimin e tretë pretendohej se prokurori kishte firmosur shpalljen e mos kompetencës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda në çështjen me të pandehur Suel Çelën dhe të tjerë.
Gentjan Osmani është i njohur si prokurori që kërkoi arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Me këtë vendim për shkarkimin e Gentjan Osmanit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ngelet me 10 anëtarë. Në këto kushte Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku pritet të bëjë edhe një herë thirrjen e prokurorëve, për pasuesin e tij në KLP. Edhe më herët një anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, është shkarkuar në proceset e vettingut. Antoneta Sevadari ish-prokurore e Krimeve të Rënda, u zëvendësua në KLP nga Vate Staka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë