Rend dhe Ligj

Vettingu në polici, kontestohet roli i SHÇBA: Nuk është i pavarur

Ndryshimi brenda një viti i ligjit që synon të realizojë vettingun në Polici po shihet me skepticizëm nga ana e Komitetit Shqiptar Helsinkit. Sipas organizatës, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, një shërbim në varësi të Ministrit të Brendshëm, nuk ka pavarësinë që të kontrollojë policët.
“KSHH mendon se angazhimi i SHÇBA-së për krejt fazën e dytë dhe të tretë të procesit të vlerësimit nuk është zgjidhja më e drejtë dhe më e mirë, madje përbën regres në raport me standardet që parashikon legjislacioni ekzistues, në drejtim të respektimit të parimit të objektivitetit dhe paanshmërisë së strukturave që do të kryejnë vettingun në polici”, shpehet Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

Drafti i firmosur nga ministri Sandër Lleshaj që rrëzon atë të paraardhësit, Fatmir Xhafaj, parashikon shfuqizimin e Komisionit Qendror dhe Komisioneve Vendore të Vlerësimit, përgjegjëse për fazën e dytë dhe të tretë të Vettingut në polici, duke i zëvendësuar ato me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA).
Komiteti Shqiptar i Helsinkit rendit disa arsye se pse nuk duhet lënë në dorë të kësaj strukture procesi i Vettingut, ku SHÇBA-ja, sipas mendimit të KSHH, për vetë pozicionin dhe funksionin që ka është vështirë të garantojë, siç kërkohen, parimet e mësiperme, sidomos atë të pavarësisë dhe paanshmërisë.
“SHÇBA-ja është strukturë e veçantë e Ministrisë së Punëve të Brendshme në varësi të drejtpërdrejtë të Ministrit. Drejtori i Përgjithshëm emërohet në detyrë dhe lirohet nga Ministri. Nga Ministri emërohet dhe lirohet nga detyra edhe Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit me propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm. SHÇBA-ja kryen edhe veprime operative në fushën informative. Ai mbledh dhe merr të dhëna për veprime apo mosveprime të punonjësve pavarësisht nga funksioni dhe grada edhe në mënyrë të fshehtë. SHÇBA-ja jo vetëm mbledh, por edhe përpunon të dhënat personale me qëllim parandalimin e veprave penale. SHÇBA-ja ka atributet e policisë gjyqësore, domethënë kryen edhe veprimtari hetimore kur urdhërohet nga organi procedues. Ai kryen analiza studimore dhe bën rekomandime për drejtuesit përkatës”, thuhet në deklaratën e KSHH-së.

Projektligji i Vettingut në Polici


Nisur nga këto përcaktime, KSHH vlerëson se kompetencat e SHÇBA-së nuk krijojnë besueshmërinë që kërkohet për të qenë i pavarur dhe i paanshëm në një proces vettingu (të pastrimit) të një numri mjaft të konsiderueshëm punonjësish, afërsisht 12.000 të tillë. Ngarkimi me këtë detyrë i SHÇBA-së krijon mundësinë e shkurtimit të afateve por nuk përjashton ndikime potenciale të natyrës subjektive, aq me tepër në kushtet e mungesës së konkurrimit.

Votimi në Komisionin e Sigurisë
Projektligji “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, u diskutua në Komisionin Parlamentar të Sigurisë. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj gjatë mbrojtjes së draftit përpara deputetëve të Komisionit deklaroi se "problemi kryesor që është indetifikuar me këtë ligj lidhet me realizimin e tij, me afatet". "Nëse kemi pasur dy vite kohë për realizimin e procesit të reformës në Drejtësi për 100 gjyqtarë e prokurorë, me propozimin aktual synojnë në heqjen e limitit kohorë që ishte marsi i vitit 2020 për mbylljen e procesit, pra ne i japim kohë vetes për të vazhduar procesin e vettingut dhe me gjatë. Së dyti, nuk janë prekur kriteret, por është ndryshuar trupa që do të kryej vettingun”, tha Lleshaj.

Ministri Lleshaj sot në komisionin e Sigurisë


Ligji aktual, sipas tij, parashikon një trupë të jashtme vettingu dhe dy trupa të brendshme dhe është propozuar që trupa e jashtme të mbetet, pra Komisioni i Jashtëm i Vettingut dhe kjo trupë e jashtme do të kryejë vettingun për pjesën kryesore të Policisë së Shtetit, Gardës dhe SHÇBA. Ndërkohë që ligji aktual kërkon dhe ngritjen e dy strukturave të tjera të brendshme, komisionet vendore dhe qendrore që të vazhdojnë vettingun për pjesën e madhe të saj.
“Në ligj nuk bëhet asnjë ndryshim substancial; i vetmi ndryshim është heqja e limitit kohor dhe në vend të dy komisioneve të përkohshme që do të ngriheshin me ligjin aktual, të vazhdojë SHÇBA për të vetuar pjesën e mbetur të Policisë së Shtetit, Gardës dhe vetë SHÇBA. Në fazën e parë nga Komisioni i Jashtëm i Vettingut, do të evitohet trupa drejtuese e policisë, rreth 300 drejtues të policisë dhe vetë SHÇBA”, tha ministri.
Me draftin e ri, propozohet heqja e afatit 2020, duke bërë që procesi i Vettingut të realizimit të zgjatet pa limit në kohë.
Anëtari i këtij komisioni parlamentar, Pjerin Ndreu, propozoi lehtësimin e procedurave, pasi në disa struktura të policisë, sipas tij, janë shfaqur dhe disa ankthe të panevojshme. Ndërsa për Gardën e Republikës ai u shpreh se duhet të përjashtohet nga procesi i vettingut.
“Unë jam pro që të ketë një lehtësim të procedurave, duke parë që ka pasur një presion dhe një ankth në strukturat e policisë. Kostoja financiare është e pamotivuar. Unë mendoj se Garda duhet të përjashtohet nga vettingu. Garda ka një rol të shërbimeve statike, kryesisht. Në eksperiencat që kam, Garda nuk ka qenë problematike”, tha Ndreu.
Komisioni i Sigurisë e miratoi vetëm në parim këtë projektligj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë