Pak më shumë se një muaj më parë, Ilir Toska mësonte para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit fatin e tij në sistemin e drejtësisë. Gjyqtari i Gjykatës së Apelit në Tiranë shprehte “besim tek procesi”.
“Është i drejtë, ndaj kërkoj rikonfirmimin në detyrë”, tha ai në seancën dëgjimore publike.
Në raportin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Ilir Toska cilësohej si i papërshtatshëm për të vazhduar në sistemin e drejtësisë, por KPK e rrëzoi poshtë këtë raport me argumentin se nuk kishte prova të mjaftueshme.
Ilir Toska e mori rikonfirmimin më 21 qershor, por tani Partia Demokratike përmend emrin e tij, pas emrit të Ardian Dvoranit, si një tjetër shembull tregues që procesi i vettingut është i kapur nga Kryeministri Edi Rama, madje thotë se ka dokumenta zyrtarë që e provojnë se gjyqtari është përfshirë në afera korruptive.
Deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj bëri publike këto dokumenta dhe foli për ekzistencën e një video-përgjimi.
“Dokumenta zyrtarë, që bazohen në raportet e shërbimeve inteligjente tregojnë se ka një përgjim me zë dhe figurë ku gjyqtari Ilir Toska është përfshirë në korrupsion”, deklaroi Alibeaj.
Përgjimi, sipas opozitës ka ndodhur në 2004-2005, kohë kur në krye të Ministrisë së Drejtësisë ishte Fatmir Xhafaj.
“Sipas materialeve që kanë në dosje organet e vettingut rezulton se Shërbimi Informativ Shtetëror u kishte dërguar autoriteteve më të larta të kohës, Presidentit Alfred Moisiu dhe ministrit të Drejtësisë, Fatmir Xhafaj, një material audioviziv, ku provohej se Ilir Toska, në atë kohë kryeinspektor i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka marrë para me ndërmjetësimin e një punonjësi të Ministrisë së Brendshme, që ai të mos jepte një masë disiplinore ndaj një gjyqtari të korruptuar”, tha Alibeaj.
Anëtar i trupës gjyqësore të Gjykatës së Apelit në Tiranë, Ilir Toska është gjithashtu edhe kandidat për Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.