Lajme

Vettingu, Alibeaj: Proces fars dhe politik

Debati që po agravon kohët e fundit mes Partisë Demokratike dhe maxhorancës lidhet me sistemin e drejtësisë.

Deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, në një deklaratë për mediat e ka cilësuar procesin e Vettingut të korruptuar dhe politik. Sipas tij rasti i konfirmimit në detyrë të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani, është një lajm i keq për reformën në drejtësi.

“Nëse procesi i Vettingut nuk do të ishte i korruptuar politikisht, sot Ardian Dvorani duhet të ishte shkarkuar nga detyra për fshehje të pasurisë, për fitim të pasurisë në mënyrë të paligjshme dhe mungesë të integritetit moral dhe profesional.

Partia demokratike e konsideron konfirmimin në detyrë të shërbëtorit të Edi Ramës në Gjykatën e Lartë, si një lajm të keq për reformën në drejtësi si dhe për procesin e Vettingut, duke i vënë atij vulën e një procesi fars dhe politik. Partia Demokratike po ndjek me vëmendje çdo veprim të organeve të Vettingut dhe ne do të bëjmë publik cdo rast konfirmimi në detyrë të gjyqtarëve të korruptuar, të lidhur me krimin e organizuar, apo shërbëtorë të Edi Ramës”, u shpreh Alibeaj.

Më herët, lidhur me Vettingun ka pasur përplasje edhe mes kryeministrit Rama dhe kreut të PD-së, Lulzim Bashës në rrjetin social “Facebook”.

Rama është shprehur se sistemi i drejtësisë po pastrohet nga gjyqtarët e korruptuar. Ndërsa, Basha i mëshon fort faktit se djepi bosh i Gjykatës Kushtetuese duhet për të mbrojtur aferën e Teatrit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë