Njerez

Vetmia e Mbretëreshës Elizabeth, çfarë e pret tani pas vdekjes së Princit Philip

Mbretëria dhe vajtimi: pesha që Mbretëresha Elizabeth mban në këto ditë, duket pothuajse e padurueshme. Sepse nëse sovrania ngrihet mbi njerëzit e zakonshëm, në të njëjtën kohë ajo mund të mos i shmanget vetmisë.

Pikërisht, është tek ajo që rrotullohet monarkia, autoriteti hyjnor mishërohet, të gjithë të tjerët janë satelitë që vërtiten rreth atij dielli. 

Është një rol që nuk njeh ndarje: por gjatë gjithë këtyre viteve, vetmia e mbretëreshës është zbutur nga prania e Philip-it, për 73 vjet në krah të saj.

Princi, i cili ndërroi jetë pak ditë më parë, nuk ishte thjesht një burrë, ai ishte një mik, një i besuar, i vetmi person me të cilin Elizabeth mund të bisedonte gjithçka. “Shkëmbi im dhe forca ime”, e kishte cilësuar më parë. Dhe këto ditë, mbretëresha duhet të duket për shumë njerëz si personi më i vetmuar në këtë botë.

Gjithashtu, sepse viti i kaluar i kishte parë ata të ribashkuar, siç nuk kishte ndodhur për ca kohë. Që kur Philip doli në pension tre vjet më parë, ata kishin bërë jetë veçanërisht të ndara: ai kishte shkuar në vilën e tij në Sandrigham, ku ndau kohën e tij midis pikturës dhe muzikës; ajo mbeti e zënë me rutinën mbretërore, midis “Buckingham Palace” dhe Windsor. 

Por shpërthimi i pandemisë, i kishte izoluar në kështjellën Windsor: këtu, në muajt e fundit, ata kishin gjetur afërsinë dhe harmoninë e ditëve të kaluara. Të shkëputur nga bota, Elizabeth dhe Philip mund të mbështeteshin te njëri-tjetri.

Tani, mbretëreshës nuk i mbetet askush për t'u mbështetur. Dhe kjo është arsyeja pse familja dhe oborri po mblidhen rreth saj. Dje në mëngjes, i pari që mbërriti për ta vizituar, ishte Princi Andrew, djali i saj i preferuar. Por mund të imagjinohet se ai do të detyrohet të qëndrojë mënjanë, duke qenë se është i lidhur me ngjarje të papërshtatshme. 

Pas pak, mbërriti djali i vogël, Edward, i shoqëruar nga gruaja e tij, Sophie. Dhe është ajo, Kontesha e Wessex, e cila në kohët e fundit është bërë shpatulla mbi të cilën mund të mbështetej mbretëresha.

Pastaj, ka anëtarët më të besuar të stafit, duke filluar me zonjat. Por një rol të veçantë, luan asistentja e saj personale, Angela Kelly, gruaja që e vesh çdo mëngjes: një person me natyrë të përulur, ka punuar së bashku me sovranen për gati 30 vjet dhe ka fituar besimin e saj të plotë. 

Përveç saj, është edhe Paul Whybrew, i cili gjithashtu ishte shfaqur së bashku me mbretëreshën në episodin me James Bond për hapjen e Olimpiadës në vitin 2012.

"Flluska" që mbështeti Elizabeth-in gjatë pandemisë është ende atje. Por asgjë nuk është në të vërtetë si më parë. Dhe për këtë arsye, edhe nëse ajo vazhdon të kalojë shumë kohë në Windsor, ka të ngjarë që 97-vjeçarja të tërhiqet për pjesën e mbetur të vitit në Kështjellën Balmoral, në Skoci. 

Pikërisht aty ku Mbretëresha Victoria, ishte mbyllur në vitin 1862, pas vdekjes së burrit, princit të dashur Albert, të cilin shumë njerëz e shohin të ngjashëm me Philip-in. Edhe Elizabeth e vlerëson shumë atë strehë të largët.

Megjithatë, Elizabeth nuk ka gjasa të zhduket nga populli, siç bëri Victoria. Sot, si kurrë më parë, monarkja duhet parë që të besohet, për të ruajtur ndikimin e saj. 

Dhe kështu, mbretëresha pritet të rishfaqet së shpejti, por me zemrën e saj të ngarkuar nga një peshë e papërshkrueshme.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë