Nga BIRN- Ervin Çeta, një ish-kampion boksi, u rrit në një bllok banesash prane fushave të futbollit të shkollës së mesme “Halim Xhelo” në lagjen Kushtrimi, të qytetit të Vlorës, ku luante futboll çdo ditë me fëmijët e tjerë. Në një cep të oborrit të shkollës, ku dikur ishte një tunel qe përdorej per ruajtjen e bombave, granateve dhe armeve, ndodhet tanime një vilë trekatëshe me porta automatike garazhi dhe dyer te blinduara.
"Jam nostalgjik sepse luanim shpesh futboll në oborrin e shkollës. Aty ku është ndërtuar tanime shtëpia, ishte dikur tuneli", kujton Çeta. "Vila ka ndenjur bosh për vite të tëra dhe vizitorët rrallë edhe gjatë verës, sepse ata u larguan për në Tiranë", thotë ish-boksieri.
Sipas banorëve të lagjes Kushtrimi, pas mureve të larta të vilës dikur jetonte Artur Malaj, i cili ka shërbyer për shumë vite si kreu i Gjykatës së Rrethit Vlorë dhe që nga viti 2013 është emëruar si kreu i Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë.
Dëshmitë e banorëve te lagjes “Kushtrimi”, raportet e informacioneve të klasifikuara, dëshmitë e marra nga BIRN, ankesat e paraqitura pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe dokumentet e Inspektoratit të Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive e lidhin gjyqtarin Malaj me vilën trekatëshe, e cila është e regjistruar nën emrin e ish-sekretares së tij.
Megjithatë, këto prova të shumëfishta që tregojnë se vila mund të jetë një pasuri që është fshehur nga gjyqtari, u injoruan nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve, KPK, i cili më 3 gusht vendosi ta konfirmonte atë në detyrë.
Vila në Vlorë nuk është pasuria e vetme që ngriti shqetësime në lidhje me integritetin e gjyqtarit Malaj. Sipas provave të mbledhura nga KPK-ja, anëtarët e familjes së tij kanë mijëra metra katror tokë dhe apartamente, të fituara nga individë me një sfond kriminal të cilët gjithashtu janë të lidhur me "mafien e pronës" që vepron në Shqipëri.
Përveç pasurisë, raporti i KPK-se dhe informacionet nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, përmbajnë akuza të përsëritura për korrupsion sistematik dhe shpërdorim detyre, të cilat nuk janë marrë parasysh nga komisioni i verifikimit gjatë procesit të konfirmimit të gjyqtarit Malaj.
I pyetur nga BIRN për vilën, pronat në emër të anëtarëve të familjes së tij dhe pretendimet për korrupsion, Malaj i përshkroi raportet e klasifikuara si të pasakta dhe mohoi që të ketë shkelur ligjin. Ai gjithashtu tha se nuk kishte informata paraprake për transaksionet e pronës së tij, por këmbënguli që ato të ishin të bazuara në kontrata të ligjshme.
Një karrierë e gjatë në drejtësi
Artur Malaj ka një karrierë të gjatë në sistemin shqiptar të drejtësisë dhe që nga viti 2013 ka shërbyer si gjykatës në Gjykatën Administrative të Apelit në Tiranë. Me parë Malaj kishte shërbyer si drejtues në Gjykatën e Qarkut në Vlorë nga viti 2004 deri në vitin 2013. Malaj ka shërbyer gjithashtu si anëtar i Kolegjit Zgjedhor.
Verifikimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një komponent kyç i reformës në drejtësi në Shqipëri. Ky proces i jashtëzakonshëm administrativ është duke bërë rivlerësimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke verifikuar burimin e pasurive të tyre, çdo lidhje me krimin e organizuar dhe profesionalizmin e tyre. Verifikimet po kryhen nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve me ndihmën e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, i cili përbëhet nga ekspertë ndërkombëtarë të nivelit të lartë. Vendimi i KPK-se për konfirmimin e Malaj në detyrë mund të apelohet nga palët e përfshira ose nga Komisioneri Publik në KPA.
Malaj i ishte nënshtruar procesit të verifikimit si pjesë e një liste prioritare të gjyqtarëve dhe prokurorëve për shkak të kandidaturës së tij për Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë, një institucion që ende nuk është ngritur, por do të zëvendësojë Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe do të hetojë korrupsionin në gjyqësor.
Investigimet tregojnë se pasuria familjare e gjyqtarit Malaj u rrit me 47 herë nga viti 2003 deri në vitin 2017, kryesisht për shkak të të ardhurave të gruas së tij si notere publike. Vila trekatëshe në Vlorë nuk u deklarua. Banorët rrëfejnë se familja Malaj u zhvendos nga fshati Llakatund në Lagjen Kushtrimi në fillim të viteve 1990. Fillimisht ata ndërtuan ilegalisht një banesë njëkatëshe në bazat e të cilave u ndërtua më vonë vilë trekatëshe.
Të dhëna nga zyra e regjistrimit të pasurisë lokale në Vlorë dhe gjykata lokale e rrethit tregojnë se toka në të cilën është ndërtuar vila ka një sipërfaqe prej 478 metrash katrorë dhe është regjistruar së pari në emër të Sokrat Dautaj, avokat dhe ish-gjyqtar në Gjykatën e Vlorës. Dautaj e mori vilën përmes një padie në Gjykatën e Vlorës në vitin 2005, ku me ndihmën e dy dëshmitarëve pretendoi se babai i tij kishte ndërtuar një shtëpi në këtë tokë në vitin 1984. Vendimi i gjykatës i dha Dautaj pronësinë e tokës, por kur ai ndërroi jete toka u trashëgua nga e veja e tij Beatrice dhe vajzat Alma dhe Blerina Dautaj. Bashkia e Vlorës lëshoi një leje ndërtimi për Beatricen dhe dy vajzat e saj në vitin 2009 për ndërtimin e një vile trekatëshe me një sipërfaqe prej 204.5 metra katrorë. Edhe pse e regjistruar në emër të familjes Dautaj, vila ishte deklaruar nga gjyqtari Artur Malaj si adresa e shtëpisë së tij gjate deklarimeve të pasurisë nga viti 2004 deri në vitin 2012. Adresa e vilës u përdor gjithashtu nga Malaj për një hua të marrë nga Raiffeisen Bank në vitin 2005 .
Nëna e gjyqtarit, Xhane Malaj dhe vëllai i tij, Afrim Malaj, që jeton në Itali, kanë të njëjtën adresë në regjistrin civil. Kontrata për ndërtimin e vilës në vitin 2009 me kompaninë Desi Sh.p.k u hartua nga noterja publike Ledina Malaj, gruaja e gjyqtarit. Kjo adresë shtëpie u përdor gjithashtu në vitin 2005 në Qendrën Kombëtare të Biznesit kur Ledina Malaj regjistroi zyrën e saj te noterisë. Gjyqtari Malaj pranoi në një intervistë telefonike me BIRN-in se e deklaroi vilën në Vlorë si adresën e tij, sepse ai nuk kishte një adresë tjetër në atë kohë, por nuk tha se ku jetonte në të vërtetë. "Unë i kam shpjeguar KPK-se ku kam jetuar", këmbënguli Malaj. Por prania e Malaj në vilë u konfirmua edhe nga fqinjët, duke përfshirë edhe ish-boksierin Çeta. “Te gjithë kanë jetuar këtu, vëllai, nëna dhe gjyqtari, "tha ai.
Vila në emër të ish-sekretares?
Familja Dautaj, e cila është regjistruar si pronare e vilës, nuk jeton asgjëkund afër Lagjes Kushtrimi. Beatrice Dautaj dhe vajza e saj Alma Dautaj, jetojnë në një apartament modest në Lagjen Lef Sallata të Vlorës. Nga viti 2005 deri në vitin 2013, periudha në të cilën gjyqtari Malaj drejtoi Gjykatën e Vlorës, Alma Dautaj punoi si sekretare kryesore në gjykatën e rrethit.
Në një intervistë të shkurtër në pragun e banesës së saj në Lef Sallata, Alma Dautaj deklaron se vila në lagjen Kushtrimi ishte e saj. "Kam katër shtëpi, kam një atje, kam një në lagjen e Ujit të Ftohtë", tha ajo. E pyetur pse jetonte në apartament ndërkohe që vila është bosh, Dautaj u përgjigj: "Isha atje dje". Megjithatë, kur u pyet për ngjyrën e kuzhinës, Dautaj e ndërpreu intervistën dhe e mbylli derën, duke thënë se kjo ishte një çështje private.
Kjo nuk është hera e parë që Alma Dautaj ka luftuar për të bindur njerëzit se ajo është pronarja e vërtete e vilës. Sipas KPK-se, ajo ka dhënë deklarata kontradiktore në komision, duke pretenduar se shtëpia është ndërtuar në periudhën 1991-92, ndërkohe qe babai i saj ka pretenduar në padinë e vitit 2005 se ndërtesa ka ekzistuar që nga viti 1984.
KPK-ja tha gjithashtu tha se Alma Dautaj dhe familja e saj nuk kishin mjetet financiare për të ndërtuar vilën, kostoja e ndërtimit të se cilës arrin deri në 110,000 euro. Dautaj i tha komisionit se familja Malaj mori me pas me qira shtëpinë deri në vitin 2008.
Dëshmia e fqinjëve, lidhja profesionale e familjeve Malaj dhe Dautaj dhe të dhënat e regjistrit civil nuk janë prova e vetme që lidh gjyqtarin Malaj me vilën. Një ankesë e papritur mbi vilën u paraqit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë në vitin 2008. Paditësi, i identifikuar si M.Xh, shkruan se "shefi i drejtësisë Artur Malaj e kishte ndërtuar shtëpinë e tij në territorin e shkollës së mesme Halim Xhelo dhe përmes aktgjykimeve të korruptuara e kishte legalizuar". KPK u përball gjithashtu me një ankesë nga një paditës i identifikuar si H.H, i cili thotë se "Artur Malaj ka ndërtuar një vilë katërkatëshe në oborrin e shkollës së mesme Halim Xhelo dhe e ka regjistruar atë nën emrin e sekretares se tij".
Megjithatë, pavarësisht dëshmive për pronësinë e vilës, Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve mori vendimin për të konfirmuar gjyqtarin Malaj në detyre, duke thënë se "në asnjë rast nuk është provuar se kjo pronë nuk është e lidhur me vlerësuesin [Malaj] ".
Pronat e patundshme
Më 10 tetor, policia e Vlorës arrestoi biznesmenin Pullumb Petritaj, i cili akuzohet se ka falsifikuar vendimet e gjykatës për të marrë në mënyrë të paligjshme pronësinë e një toke prej 100 hektarësh në zonën turistike të Zvërnecit.
Petritaj duket se ishte i lidhur me Artur Shehun, një i dyshuar që ka jetuar në Shtetet e Bashkuara për dekada të tëra. Një hetim nga Prokuroria e Vlorës pohon se përveç 100 hektarëve në Zvernec, një ndërmarrje kriminale e kryesuar nga Shehu ka marrë nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara më shumë se 500 hektarë tokë në zona të ndryshme të bregdetit jugor të Shqipërisë. Në vendimin që konfirmonte emërimin e Malaj, KPK-ja tha se disa nga pronat e regjistruara në emër të nipit, motrës dhe kunatit të gjyqtarit Malaj u morën nga njerëz të lidhur me Shehun.
"Qytetari A.Sh, i dyshuari kryesor i përfshirë në disa çështje që lidhen me falsifikimin e pronave në Vlorë, është akuzuar disa herë për veprimtari kriminale jashtë Shqipërisë", tha KPK-ja.
Sipas Komisionit, nipi 30-vjeçar i gjyqtarit Malaj është regjistruar si pronar i katër pronave me një sipërfaqe prej 4,444.3 metrash katrorë në Vlorë, dhe pronar i një Mercedes-Benz SUV. Nipi dhe prindërit e tij nuk janë të vetmit të afërm të gjyqtarit Malaj me një numër të madh të pasurive të patundshme të regjistruara nën emrin e tyre. Motra dhe kunati i tij kanë gjithashtu një listë e gjatë të pasurive të patundshme në emër të tyre. Sipas KPK-së, një apartament me vlerë 110,000 euro në Tiranë, dy apartamente në Vlorë, 26,000 metra katror pyje në Vlorë dhe 10,000 metra katrorë kullota në Zvërnec janë regjistruar në emrin e motrës dhe kunatit të gjyqtarit. Por nuk mbaron me kaq, pasi ata zotërojne gjithashtu edhe dy apartamente të tjera në Vlorë, investime në fondin Raiffeisen Prestige Invest me vlerë 2.8 milionë lekë, bono thesari me vlerë 50.000 euro, obligacione me vlerë 2.95 milion lekë, një depozite prej 51.324 dollarësh ne Bankën Kombëtare Tregtare dhe 25 për qind të aksioneve në kompaninë Peshku Planet, të cilat vlejnë 25,000 euro.
I kontaktuar nga BIRN, gjyqtari Malaj mohoi çdo transaksion me njerëz që kanë sfond kriminal. Ai shpjegoi se prona e marrë nga njerëzit e lidhur me Shehun ishte fituar nga vjehrri, jo nipi i tij, duke shtuar se nuk kishte njohuri paraprake të transaksioneve.
"Kontratat ishin të ligjshme dhe pagesa është bërë nëpërmjet bankës. Çdo gjë shpjegohet në vendimin e KPK-se " tha Malaj. Komisioni fillimisht ngriti dyshime rreth pasurisë së anëtarëve të familjes së Malaj, por në verdiktin e saj që konfirmonte gjyqtarin i konsideroi si të ardhura te justifikuara nga biznesi në Shqipëri ose jashtë.
Në deklaratat e tij para Komisionit, gjyqtari Malaj pretendoi se ai nuk kishte dijeni për lidhjet dhe pronat e anëtarëve të familjes së tij dhe se nuk përfitoi në asnjë formë nga kjo pasuri, një argument i pranuar nga paneli i verifikimit, i cili votoi njëzëri për ta konfirmuar gjyqtarin në detyrë.
Por votimi për të konfirmuar Malaj bëri që shumë zyrtarë në Tiranë të ngrinin vetullat, veçanërisht anëtarët e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, të cilët kishin kritikuar deklaratat e tij gjatë dëgjimit publik të mbajtur nga KPK-ja në fund të korrikut. Menjëherë pas shpalljes së vendimit në gusht, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit rekomandoi që Komisioneri Publik të apelonte vendimin në Kolegjin e Apelit dhe në Dhomën e Apelit të Gjykatës Kushtetuese. Ai argumentoi se Malaj ishte pronari de facto i vilës tre-katëshe në Vlorë dhe se kishte kontribuar në ndërtimin e pasurisë të së afërmve të tij. Javën e kaluar, komisioneri i përgjithshëm Dariel Sina vendosi të vazhdojë apelin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.