Ngjarje

Hetimet për vetëvrasjen e të miturit në Lushnjë, dyshohet për një lojë sfiduese në ‘Tik Tok’

Hetimet për vetëvrasjen e 13-vjeçarit A.S., në Golem të Lushnjës, janë përqendruar vetëm në një pistë, ku dyshimi kryesor është një lojë sfiduese në rrjetin social “Tik Tok” përmes videove në telefon.

Pikërisht për këtë, grupi hetimor po përpunon të dhënat e aparatit celular që përdorte i mituri për të mësuar më shumë mbi motivet që e shtynë drejt aktit ekstrem.

Sipas informacioneve paraprake, familjarët pohojnë se javët e fundit djali  qëndronte shumë gjatë para telefonit dhe kishte ndryshuar sjellje, por asnjëherë nuk e kishin menduar se ai do të ndërmerrte aktin e rëndë.

Ditën kur ndodhi ngjarja, të shtunën 20 nëntor, prindërit e tij kanë qenë duke punuar në një fshat tjetër dhe kur u kthyen e gjetën djalin në një nga dhomat  e shtëpisë.

Nuk dihet se çfarë është filmuar në aparatin celular të sekuestruar tashmë nga policia. Prej ditësh, thonë burime familjare, e ëma ishte përpjekur pa dobi t’ia hiqte telefonin nga dora.

Nga ekspertiza mjeko-ligjore, e administruar tashmë në dosjen e prokurorisë, i mituri ka ndërruar jetë për shkak të asfiksisë.

Hetimet nuk kanë një autor të dyshuar, sepse djali mund të jetë rekrutuar për t’u bërë pjesë e lojërave sfiduese ekstreme në internet përmes personave të panjohur virtualë.

Në lidhje me këtë rast, Prokuroria e Lushnjës ka sekuestruar si provë materiale telefonin e 13-vjeçarit për të parë nëse ka arritur të realizojë videon para aktit të vetëvrasjes.

Pikërisht, zbërthimi i aparatit nga ekspertët do të hedhë më shumë dritë mbi ngjarjen tragjike që dyshohet se ka ardhur përmes platformës sociale “Tik Tok”.

Edhe vetë ministrja e Arsimit, Evis Kushi, paralajmëroi dhe apeloi prindërit e fëmijëve që të kontrollojnë orët e zgjatura të fëmijëve në internet dhe rrjetet sociale. Ajo tha se është përgjegjësi e të gjitha institucioneve dhe e të gjithë shoqërisë të merren me këtë fenomen.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë